Ese -Abriela Gozhdari

Konfliktet zgjidhen nëpërmjet artit të komunikimit
Konfliktet qofshin të qëllimshme apo të paqëllimshme janë pjesë e jetës sonë. Ato mund të shfaqen kudo si në shkollë edhe në shtëpi, por e rëndësishme është që të mos lejojmë konfliktet të ndikojnë më tepër seç duhet në gjendjen tonë emocionale, psikologjike dhe në marrëdhënien tonë me të tjerët. Për të arritur këtë qëllim duhet të gjejmë një zgjidhje për konfliktet që krijohen dhe unë mendoj se një konflikt mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet komunikimit të qetë dhe të saktë.
Në qoftë se pyesim njerëz të ndryshëm se si i zgjidhin konfliktet e tyre, do të kemi një ndarje midis atyre që besojnë se mund të shmangësh një konflikt duke u larguar ose mund t’i japësh zgjidhje me anë të dhunës kur nuk arrihet gjuha e përbashkët. Unë besoj se këto dy opsione as që duhet të diskutohen sepse ato sjellin pasoja të mëdha negative si për veten tonë edhe për të tjerët.
Nga një konflikt nuk mund të shmangesh asnjëherë. Edhe nëse nuk e ke nxitur konfliktin nuk mund të kthesh shpinën dhe të vazhdosh përpara pa sqaruar çdo gjë, pasi vetë ndërgjegja do të të ndjekë kudo. Për shembull, ka lindur një konflikt midis teje dhe shokut të ngushtë për shkakun se ai mendon që ti nuk mund të ruash një sekret. Sigurisht, nëse shoqëria juaj është shumë e mirë nuk ia vlen të prishet për disa konflikte, por nëse konflikti lihet në mes pa diskutuar e pa shtruar argumente e fakte mbi situatën ku ndodheni, konflikti nuk mund të quhet i zgjidhur. Nga ana tjetër, nëse tërhiqemi për një moment për të ulur tensionin do të ishte një zgjedhje e mirë, por e përkohshme.
Dhuna nuk arsyetohet. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë zgjidhje për konfliktet që lindin në shkollë e deri te konfliktet që lindin midis kombeve. Kurrsesi nuk mund të dhunosh dikë për arsye se ai ka një mendim ndryshe nga ty, pasi është e drejta e tij dhe e të gjithëve ne të shprehim mendimin tonë lirisht, por pa lënduar asnjë. E dimë fare mirë që e drejta e njërit përfundon pikërisht atje ku fillon ajo e tjetrit. Për më tepër dhuna mund të shkaktojë lindjen e një konflikti edhe më të ashpër.
Zgjidhje për një konflikt është komunikimi. Duke iu referuar rastit të mësipërm, për të mbrojtur veten tënde dhe për të shuar konfliktin duhet të qetësohesh, të dëgjosh mjaft mirë, të përpunosh informacionin që të japësh një kundërpërgjigje pa lënduar ose ofenduar tjetrin. Gjatë bashkëbisedimit duhet të kesh një mendje të hapur, një gjuhë trupi të qetë që shoku të jetë i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për të dhënë zgjidhje. Toni i lartë i zërit dhe gjestet e ekzagjeruara përsëri nuk janë një metodë e mirë për të folur me dikë në një situatë delikate. Qetësia dhe paraqitja e argumenteve të forta janë çelësi për të zgjidhur një konflikt duke rënë në kompromis, duke zbuluar problemin dhe duke gjetur zgjidhje. Për shembull, mund të pyesësh shokun se cili ka qenë motivi që e ka bërë atë të ketë atë opinion për ty.
Besoj se çdo konflikt e ka një zgjidhje. Mund të kërkosh ndihmë nga mësuesit, psikologia e shkollës apo prindër e shokë si ndërmjetësues kur mendon se nuk mund të gjesh një gjuhë të përbashkët me palën tjetër. Mos harroni se duhet të jemi gjakftohtë, të shpejtë në të menduar dhe të ngadaltë në të folur, duke pasur gjithmonë një mendje dhe zemër të gatshme për të kërkuar dhe pranuar faljen.
Punoi: Abriela Gozhdari XII-5

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram