Vitet e fundit radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë shtuar shumë në raportimin e medias, dhe agjencive ligjzbatuese të shteteve evropiane, Ballkan dhe në Shqipëri.
Me gjithë seriozitetin dhe shkallën e rrezikut që i paraqitet sigurisë kombëtare të shteteve dhe rajonit sot nuk ka ende një përkufizim të qartë dhe të pranuar gjerësisht për radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.
Borum (2011) sugjeron se “qeveritë dhe organizatat përgjegjëse për sigurinë kombëtare duhet të përpiqen në mënyrë të bashkërenduar për të përkufizuar konceptet “radikalizëm” dhe “ekstremizëm”, pikësëpari pasi kjo lidhet me rezultate strategjike”.
Duke iu referuar Fjalorit të Gjuhës Angleze të Oksfordit (Oxford English Dictionary), “ekstremist” përkufizohet si “një person i cili ka pikëpamje ekstreme politike ose fetare, veçanërisht dikush i cili mbështet veprime të paligjshme, të dhunshme apo ekstreme”.
Ndërsa një kuptim i termit “radikal” është “përfaqësimi apo mbështetja e një seksioni ekstrem të një partie”. Në këtë kontekst, termi “radikal” mund të përdoret si sinonim për “ekstremist” dhe antonim i “moderuar”.
Sipas Sedgwick (2010), “radikal”shërben për të treguar një pozicion relativ në një hapësirë opinion të organizuar.
Rrjedhimisht, “radikalizim” nënkupton lëvizjen brenda kësaj hapësire. Përdorimi i këtij termi në kuptimin relativ duket jo problematik.
Megjithatë, me të drejtë Sedgwick thekson se sipas këtij përkufizimi është e vështirë të dallosh apo heqësh vijën ndarëse midis një mendimi radikal dhe një mendimi të moderuar.
Radikalizmi Fetar dhe Ekstremizmi i dhunshëm
Bindje radikale nuk përfshihen në terrorizëm, dhe shumë terroristë – madje edhe ata që pretendojnë
të ndjekin ndonjë “kauzë”, nuk janë njohës apo mbështetës të fortë të një ideologjie të caktuar dhe mund të mos “radikalizohen” në një kuptim tradicional. Për këtë arsye, edhe fokusimi ngushtësisht në togfjalëshin “radikalizim ideologjik” rrezikon të na drejtojë në arritjen e konkluzioneve të gabuara duke cilësuar bindjet radikale si tregues të nevojshëm të terrorizmit.
Radikalizmi përmes zhvillimit dhe përqafimit të bindjeve ekstremiste që justifikojnë përdorimin e dhunës
është një mundësi drejt përfshirjes në terrorizëm, por sigurisht që nuk është e vetmja.