Po kthehesha nga puna me një autobus të linjës, që lidhte qendrën e punës me qytetin ku banoja. Kisha zënë vend në një sedilje tek dritarja e të jepja përshtypjen se sodisja natyrën, por në fakt mendja “kulloste” gjetiu. Kisha një vit e gjysmë fejesë dhe truri përpiqej të bënte bilancin e saj, por më kot. Nuk dilja dot me një konkluzion. Ishte e lodhshme, prandaj përpiqesha ta mënjanoja këtë gjendje, sepse vuaj kur nuk i shoh gjërat qartë.
Përpjekjet shkuan dëm. Nuk e shmanga dot; lidhje! Momente! Qëndrime! Vogëlsira! Probleme parimore! Të zgjidhshme! Të vështira për t’u zgjidhur! Po disave a mund t’u gjendej një zgjidhje! Qetësova veten. Mos bëj tregëti me fjalët. Ka ndonjë pakënaqësi që nuk ka kaluar në armiqësi. Lufto me vlerat e tua! Mos i venit forcat! Sillu me durim! Eduko me “modelin” tënd! Ke, për fatin tënd, një djalë, që zili e kanë shumë vajza! I urtë, i pashëm, punëtor!
Eh, por tek ajo urtësia është zhvendosur “qendra e rëndesës” në atë krah, aq sa e ëma dhe të motrat po dominojnë jetën tonë dhe atij kjo i duket normale e qetësisht e pranon. Nuk ka gjë, i fola vetes me një frymë ngrohtësie e sigurie që zëvendësuan mbushjen me mllef. Krijo ura shpirtërore ashtu si e ke zakon! Me dashuri njerëzore përballoi situatat! Jetën merre ashtu si është, reale! Realiteti ka brenda dhe sfida dhe ato janë njerëzore dhe po njerëzit i përballojnë ato. Ja ngjyrat e botës që na rrethon, sa të ndryshme e të larmishme! E tillë është dhe jeta. Po, i thashë vetes, do bëj çdo përpjekje! Toleranca është mjeti më i mirë me të cilin do të ndërtoj punën në të ardhmen.
S’e kisha ndjerë fare rrugën. Nga stacioni për në shtëpi rruga më binte nga shtëpia e të fejuarit dhe në dilemë me vete po mendoja: “Të kthehem më parë aty, apo të shkoj në shtëpinë time?” E hodha, e prita mendimin dhe si ajo puna e shortit e duke pasur parasysh se vjehrra shpesh më kritikonte se duhej të shkoja më shpesh, qoftë edhe për të, por si krijova “klimën” e duhur me vetë veten time, vendosa të kthehem më parë aty.
Që tek dera dëgjoheshin zëra që tregonin se kishte më shumë se dy njerëz. Derën ma hapi Gimi, i fejuari im. U përshëndetëm me sy dhe mënyra e përshëndetjes më përforcoi sigurinë e ndërtuar gjatë rrugës se ai më paska kuptuar ndopak. Vara çantën në portmanto dhe u drejtova tek dhoma e ndënjies. Vura buzën në gas dhe fillova të përshëndetem me radhë nga vjehrra e më pas me të dyja kunatat, që ishin të pranishme aty.
Ndjeva shikimet e tyre nga koka tek këmbët dhe anasjelltas. “Uh, tha vjehrra, nga fshati ke ardhur tani? Si e pluhurosur, si e lodhur dukesh.” Po, i thashë dhe përsëri çiltër i buzëqesha. Ka vështirësi, por më kënaq puna atje, sepse njerëzit janë shumë të mirë, të sinqertë, fisnikë, e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin, aq më shumë me të huajt. “Ua, tha kunata e madhe, pa u menduar gjatë. Ty ka kush të do. U dashka të të dojë fshati ku punon?” Ashtu është, i thashë, por kjo është një dashuri e respekt i tjetër natyre dhe unë ndjehem mirë për këtë.
Gimi dëgjonte çdonjërën prej nesh, na miratonte kurse mua nuk më linte shije të mirë ky qëndrim, sepse mendoja se pranimi i njërës thënie, përjashtonte tjetrën, paçka se ato nuk ishin ende armiqësi, por po thellonin pakënaqësi.
“Lërini këto muhabete, ndërhyri motra e vogël e Gimit, ç’na hyjnë në punë këto?! Të hyjmë në temën për të cilën kemi ardhur. Kemi vendosur, m’u drejtua mua, ta lëmë dasmën pas dy muajsh, në datën 18.” Dhe sikur të mos kishte kuptuar se po më shkërmoqte shumë ide, vazhdoi: “Ne motrat, mamaja, Gimi, kemi dalë sot nëpër dyqane, kemi zgjedhur dhomën e gjumit, copa për të qepur, modelet…”
Pakënaqësia e krijuar po kapërcente caqet dhe po i hapte vërtet shtegun armiqësisë. Gimi po më shikonte dhe e vlerësonte reagimin, pavarësisht se nuk po flisja dhe pranova për momentin heshtjen, sepse edhe heshtja “flet”, madje shumë. Ç’i thoshin kësaj? Kush po martohej? Kush do të martohej?
Po errësohej. Dhe hëna që ndriçonte qiellin po vdiste, pa le për diellin s’bëhej fjalë. Ai kishte vdekur me kohë e as ndriçonte e as ngrohte. Mbrëmja i ngrysi më shumë vetullat. Oh! Po ata ishin njerëz e duhej të ndjenin si njerëz! Hëm, të bëhem thjesht, ashtu kot mik me fatin? Jo! Gimi, i thashë, ndjehem e lodhur. Ke mundësinë të më përcjellësh? Pata durim, u përshëndeta me to dhe dola.
E di si është puna, Gimi, iu drejtova, unë kërkoj divorc. Ai mbeti si i shokuar. “Ti s’je në vete, më tha. Me gjithë këto përgatitje, me gjithë këto lekë që po harxhojmë, me gjithë këtë të ardhme që kemi ne si çift…?” Ju keni harruar, Gimi, që jam dhe unë dhe kjo harresë e ka emrin dhunë. Ti jo vetëm je pajtuar me të, por me qëndrimin tënd e ke ushqyer në atë masë sa vështirë të çrrënjoset. Unë s’po bëj divorc me ty Gimi, por po i bëj divorc dhunës. Nuk jam e vetme. Jam njeri dhe ndjej si njeri. Besoj tek shenjtëria e jetës dhe ajo duhet kaluar dhemshurisht. Askush s’ka të drejtë ta prangosë atë.
L.M
Shkëputur nga përmbledhja me ese “Hapësirë pa Dhunë”, ideuar nga shoqata “Unë, Gruaja, botuar në Dhjetor 2004, nga ShB “Dija Poradeci”.