Florenc Manari
Shqipëria është cilësuar shpesh si një nga vendet e vogla të Ballkanit që reflekton një harmoni të madhe mes komuniteteve fetare. Kjo marrëdhënie e ndërsjelltë miqësore mes ithtarëve të këtyre religjioneve është trashëguar ndër breza dhe tashmë duket se kjo është një vlerë e veçantë, ndër të paktat me të cilën shqiptarët mund të krenohen. Por, ashtu sikurse edhe vendet e tjera europiane apo ato aziatike, Shqipëria nuk mund të mos prekej nga ndryshimet globale. Sigurisht që tematikat më të ndjeshme janë ato që fokusohen në kontekstin e konflikteve ushtarake. Pas sulmeve terrotiste të Kullave Binjake në vitin 2001, një valë konfliktesh dhe luftërash do të përfshinin Irakun dy vite më pas, teksa administrata e presidentit Bush i shpalli luftë regjimit të Sadam Hysein. Më pas, një lëvizje revolucionare demonstratash, protestash dhe luftërash e cilësuar si Pranvera Arabe, përfshiu Egjiptin, Tunizinë, Libinë, etj. Në vazhdën e këtyre konflikteve në Lindjen e Mesme, Lufta Civile në Siri, është padyshim më tragjikja ku humbën jetën mbi 465 mijë njerëz. (www.reuters.com). Dalja ne skenë e ISIS, i vetëshpallur si Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, krijoi një frymë konfuzioni edhe tek një numër i caktuar besimtarësh praktikantë muslimanë shqiptarë, të cilët nën amullinë e cilësimit të këaj lufte si të shenjtë, vendosën t’i bashkangjiten këtij formacioni ushtarak. Realisht lidhja historike e shqiptarëve me Sirinë është e hershme teksa qysh në kohën e Perandorisë Osmane raportohen komunitete shqiptare të vendosura kryesisht në Damask, Hama dhe Halep. Qëllimi i mërgimit asokohe ishte kryesisht për t’i shpëtuar represionit serb të kohës. (ww.wikipedia.org)
Por krejtësisht i ndryshëm ishte motivi i bashkangjitjes së shqiptarëve në luftën civile në Siri. Teksa ISIS e trumpetonte veten si organizata e vetme që luftonte për liri dhe pavarësi nga qeveria e Asadit, një pjesë naive e disa praktikantëve por jo vetëm, menduan se kjo është një luftë e shenjtë ku edhe ata e kanë obligim fetar të japin kontributin e tyre në vendosjen e paqes në atë territor. Ky koncept i gabuar altruzimi rezultoi më pas fatal për disa shtetas të cilët humbën jetën në këtë konflikt.
Në kontekstin shqiptar, ekstremizmi i dhunshëm ka marrë kryesisht ngjyrim fetar. Një numër i caktuar personash, prej tyre edhe besimtarë, kanë keqpërdorur apo keqinterpretuar religjionin për qëllime ideologjike, duke e përdoruar më pas atë si një instrument për të përligjur aktet e dhunës. Pikërisht ky dimensioni i keqinterpretimit të doktrinës fetare, ka marrë konotacionin e ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Si term, ekstremizmi i dhunshëm duket se ka filluar të përdoret në masë pikërisht pas vitit 2012 që përkon dhe me periudhën intensive të luftës në Siri e Irak. Sipas studiuesve apo edhe ekspertëve të sigurisë, ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri është shfaqur konkretisht pas vitit 2013. Elementë apo tendenca të prirjeve radikale sigurisht që ka pasur edhe më parë, por le të themi se në mënyrë të organizuar dhe shqetësuese, kjo dukuri është bërë pikërisht pas 2013-ës. Të nxitur nga propaganda virtuale e klerikëve të vetëshpallur, apo që i mëshonin një linje ekstremiste të besimit, mjaft shqiptarë rendën drejt Sirisë dhe Irakut duke menduar se kjo ishte një luftë e shenjtë që obligohej nga doktrina fetare të cilës ata i përkisnin. Një pjesë të përgjegjësisë të këtij eksodi, e kanë natyrisht edhe disa klerikë të vetëshpallur që operonin në disa objekte kulti të cilat ishin shpallur gjithashtu jashtë juridiksionit të komunitetit që i përfaqësonte zyrtarisht në institucion. Ky kaos i krijuar tek besimtarët praktikantë formoi dhe një lloj ndasie mes vetë komunitetit, ku rrjedhimisht fryma përçarëse i shërbente pikërisht ideologjisë ekstremiste dhe organizatave si ISIS që rekrutonin luftëtarë anekënd globit. Por shkaqet e shfaqjes së kësaj dukurie nuk ishin vetëm ideologjike. Studiuesit evidentojnë gjithashtu se faktori ekonomik ka qenë kryesisht një nga arsyet kryesore të largimit të shqiptarëve drejt këtyre konflikteve të armatosura. Mbështetur edhe nga studime demografike, zonat më të prekura nga të cilat vinin këta persona, ishin kryesisht fshatrat rurale ku niveli ekonomik, social, kulturor dhe arsimor lë shumë për të dëshiruar. (IDM.org) Duke qenë se ekstremizmi i dhunshëm është shndërruar tashmë në një fenomen global mjaft shqetësues, edhe Shqipëria nuk mbetet imune nga kjo dukuri. Por sipas studimeve të kryera nga ekspertë të kësaj fushe, vendi ynë ndoshta nuk rrezikohet drejtpërsëdrejti nga aktet e dhunës apo të terrorit, por rreziku qëndron në konceptin e ideologjive apo pikwpamjeve që mund të mbartin apo predikojnë kwto kategori personash. Gjithashtu ekspertët shohin me shqetësim edhe faktin se sa po arrijnë të riintegrohen në shoqëri ky target grup dhe mbi të gjitha mekanizmat ligjorë që duhen përdorur për të arritur neutralizimin e dukurisë ose siç cilësohet ndryshe dhe deradikalizimi. Në këtë drejtim vlen të përmenden nismat për përfshirjen e edukimit fetar nëpër institucionet arsimore që është tashmë një strategji dhe e axhendës qeverisëse. Nga ana tjetër determinant vlerësohet edhe roli i shoqërisë civile, gazetarëve dhe medias në tërësi, në trajtimin dhe pasqyrimin sa më objektiv të këtij fenomeni, kurimi i të cilit kërkon natyrisht vullnetin dhe kontributin e gjithë këtyre faktorëve shoqërorë.
Burimi: Gazeta mendimi
EKSTREMIZMI I DHUNSHËM NË KONTEKSTIN SHQIPTAR
Shperndaje
Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram