Ese – Tanja Vangjeli

ESE
Tanja Vangjeli
Sa shpejt e humbasim sensin e kohë apo jo? Mijëra sekonda, mijëra çaste zhduken dhe treten larg diku në pusin e thellë të kujtimeve që quhet “kohë’’. Dhe një ditë qëndrojmë para pasqyrës, me flokë të thinjur dhe plot rrudha, që shfaqen si një libër që dëshiron të flasë, të tregojë historinë tonë, por nuk mundet.
Dhe kështu vazhdon gjithmonë, derisa ne ngelemi thjesht kujtim në zemrat e njerëzve që na kanë dashur apo tregim në gojët e atyre që do të vijnë më pas. Dhe papritur, themi se sa e sa vite kanë kaluar para syve tanë që tani duken thjeshtë si minuta. Kujtohemi , biem në mendime se çfarë është jeta. Po pra, çfarë është jeta?
Pyetje që duket sikur çdokush e ka përgjigjen gati, por jo. Kjo është një pyetje enigmatike, plot dilema dhe që të fut në mendime të thella, ose më saktë në një labirinth plot anë. Në fakt, jeta është një luftë, një betejë, një ekuacion me shumë rrënjë, me shumë X dhe Y. Është një çast, një mundësi që të dhurohet vetëm një herë dhe në fund është thjesht një enigmë, sepse kjo ndryshon pyetjen sapo ti gjen përgjigjen.
Dhe harrojmë, harrojmë se ajo nuk mund të këthehet përsëri mbrapsht, asnjë sekondë nuk ndalon, sepse koha është gjithmonë në garë me ty.
Dhe pikërisht kur gjendesh në fund të këtij rrugëtimi pyet veten se sa sekonda, minuta dhe orë kanë ikur pa arsye, të zymta e asnjëher në kompromis me ty.
Në fakt jeta nuk ka formulë, ndoshta atë duhet ta gjesh ti. Duhet të gjesh gjithmonë se X duhet të jetë i ndyshëm nga zero, përndryshe ke humbur shancin për ta jetuar jetën.
Dhe e dini si duhet jetuar ajo? Duhet ta jetosh sikur kjo do të ishte dita jote e fundit, sikur momentet e hidhura do të jenë burim force për ty dhe jo dobësie…
Jeta është shumë e shkurtë për të menduar kaq gjatë! Ndoshta kur të zgjohemi nesër, nuk do të jemi më unë apo ti, por thjesht yjet lart në qiell që shndrisin pa pushim nën hijen e hënës.
Sa herë zemrohemi pa arsye dhe qajmë me orë të tëra, ndërkohë që mund të qeshim dhe të falënderonim zotin që na fali dhe një ditë tjetër, që jemi së bashku me njerëzit që duam dhe për më tepër të lumtur.
Sepse jo të gjithë e kanë këtë shans, jo të gjithë ngrihen në mëngjes të shëndetëshëm e të gëzuar. Ka shumë të tjerë që atë mëngjes janë duke luftuar me vdekjen, kundër kohës për të fituar, për të ndjerë pranë dashurinë e gjërave që i rrethojnë. Sepse jo të gjithë atë moment janë të fortë e të guximshëm.
Frika po i shkatërron çdo sekondë. Shumë pyetje pa përgjigje lindin pa vetëdije sepse kufiri jetë dhe vdekje është kaq i hollë.
Megjithatë, jeta është e bukur pavarsisht gjithçkaje. Edhe pse, një armik mund të ketë hyrë brenda teje, brenda trupit tonë, asnjëherë nuk duhet të jemi pesimistë, negativë dhe pa shpresë.
Pikërisht atëherë kur ti nuk e pret jeta mund të të ofrojë një mundësi, mund të ndezë një dritë për ty.
Dhe unë besoj pkërisht tek shprehja që thotë se asgjë nuk ndodh rastësisht në jetë.
Ku i dihet? Ndoshta, ky virus i vogël që po lufton me njerëzimin, do ti tregojë atij se është momenti për të qendruar bashkë, për të kuptuar vërtet rëndësinë e jetës dhe vlerën e të jetuarit. Për të kuptuar se jeta është mbi gjithçka dhe se asgjë nuk mund të vendoset mbi të.
Jemi kaq shumë njerëz në një botë kaq të vogël dhe sot jemi duke luftuar për ekzistencë. E pavarësisht gjithçkaje, unë BESOJ! BESOJ se si gjithmonë do e kalojmë edhe këtë. BESOJ se pas gjithë kësaj do kemi marrë një mësim me vlerë të madhe!
BESOJ se nuk do të jemi më ata që kemi qënë më parë! BESOJ FORT por shumë FORT aman që do vlerësojmë më shumë gjërat që na ka falur jeta, para se të jetë tepër vonë! UNË BESOJ!!!

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram