Mbështetje psikologjike për gra dhe vajza viktima të dhunës në familje:
Këshillimi psikologjik: është i vetmi shërbim, nga i cili përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë viktimat. Nëpërmjet këshillimit rriten mundësitë që viktimat e dhunës të mos përjetojnë më dhunë. Gjithashtu këshillimi ndihmon të mbijetuarat ndërgjegjësohen për të mbrojtur veten dhe fëmijët në të ardhmen e tyre.
Këshillim individual: ky këshillim realizohet midis rastit dhe psikologut në mënyrë konfidenciale për të shprehur ndjenjat përjetimet dhe shqetësimet e saj. Gjatë proçesit të këshillimit fokusi vihet mbi temën e dhunës, marrëdhënien që rasti ka me dhunën, besimet, bindjet, traditat, modelet, normat e rastit dhe një peshë të madhe zë diskutimi mbi pasojat e dhunës së kryer mbi të dhe hapat që mund ta nxjerrin nga kjo situatë.
Këshillim grupi: takimet në grupe realizohen midis psikologut dhe një grupi të caktuar personash. Tematikat mund të jenë të ndryshme duke filluar nga rëndësia e familjes, barazia gjinore, bullizmi etj. Fokusi ynë kryesor është “TË GJITHË DUHET TË ZGJEDHIM TË JETOJMË PA DHUNË”.
Asistim psikologjik për të miturit
Kur thirret psikologu për të asistuar të miturin? Kreu II “Parime të Drejtësisë Penale për të Mitur”, neni 18, parashikon se:
- Prania e psikologut është e detyrueshme në çdo fazë të procedimit penal me të miturit në konflikt me ligjin, si dhe gjatë pyetjes së të miturit viktimë ose dëshmitar, pavarësisht nga mosha;
- Prania e psikologut synon që të miturit në konflikt me ligjin, të miturit viktimë dhe/ose dëshmitar t’i sigurohet pyetja në mënyrën e duhur dhe t’i lehtësohet dhënia e dëshmisë nga ana e tij, duke bërë kujdes për të eliminuar frikësimin ose ndrojtjen e të miturit nga procesi.