Mohimi dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe artistike për shkak të ekstremizmit të dhunshëm është një humbje për të gjithë njerëzimin

ESE: Mohimi dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe artistike për shkak të ekstremizmit të dhunshëm është një humbje për të gjithë njerëzimin
Shkatërrimi i trashëgimisë artistike dhe kulturore është kthyer në një instrument terrori nga organizatat ekstremiste, dhe është bërë pjesë e planit të tyre global për të përhapur intolerancën dhe për të nënshtruar popuj. Çdo ditë, vende të trashëgimisë botërore rrënohen dhe grabiten për të financuar terrorizmin; individët persekutohen mbi baza fetare dhe kulturore; vetë diversiteti kulturor shënjestrohet. Ky gjenocid kulturor po përdoret si një taktike lufte, për të ndarë njerëzimin nga historia që e bashkon.
Është pikërisht kjo arsyeja pse mbrojtja e kulturës duhet të jetë një pjesë përbërëse e çdo përpjekjeje humanitare. Është mjaft e arsyeshme të ndihemi të zemëruar dhe të pafuqishëm kur shohim imazhe të vendeve të shkatërruara, sidomos kur e dimë se disa nga këto thesare humbasin përgjithmonë. Megjithatë, njerëzit mund të kontribuojnë.
Fillimisht, mund të luftohet kundër trafikimit jo të ligjshëm të objekteve kulturore që vijnë nga vende si Iraku apo Siria. Ky trafikim kontribuon drejtpërdrejt në financimin e terrorizmit, pasi objektet kulturore që transportohen kanë vlerë të madhe ekonomike dhe historike. Në anën tjetër, largimi i këtyre objekteve nga vendi që i përkasin sjell lindjen e dalëngadaltë të shpërbërjes kulturore.
Përveç kësaj, duhet të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar. Ekstremizmi i dhunshëm është një sfidë globale dhe ne duhet të përgjigjemi e reagojmë në një nivel global. Shtetet duhet të forcojnë bashkëpunimin nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe veprimit të përbashkët. Të gjithë partnerët kyç në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të koordinohen dhe të krijojnë koalicione globale.
Kultura shihet nga ekstremistët si një burim rezistence, prandaj konsiderohet si e rëndësishme prej tyre përhapja e urrejtjes në nivel global për të siguruar përçarje. Grupe terroriste si ISIS shënjestrojnë të rinj me qëllimin për t’i radikalizuar dhe për t’i detyruar të kryejnë akte makabre. Trashëgimia botërore është e ndërtuar mbi idenë se tërësia e pasurive natyrore dhe kulturore duhet të mbrohen nga të gjithë. Shkatërrimi i qyteteve në Siri dhe Irak nuk është një humbje për vetë ato shtete, por për të gjithë ne.

E çfarë mund të bëjmë ne? Duhet të veprojmë së bashku, aq sa mundemi, për të përcjellë mesazhe të vlefshme dhe unike në mbrojtje të kulturës. Çdo njeri e ka fuqinë për të shprehur këto mesazhe, dhe ne duhet t’i mbështesim ato në të gjitha platformat. Muzetë, shkollat, media dhe bota e artit, me mbështetjen e qeverisë dhe shoqërisë civile, janë çelësi për përhapjen e mesazheve të tilla, të cilat u mësojnë të rinjve vlerat e përsosura të trashëgimisë kulturore dhe artistike. Këto mesazhe i bëjnë të rinjtë të kuptojnë se çdo rrënim në këto vende, shkëput copa madhore nga mozaiku i kulturës globale.

LLAZAR SHKURTI
Shkolla “Muharrem Çollaku”

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram