Nga Fatjona Mejdini, Denis Dzidic dhe Maja Zivanovic / BIRN
Rinia në Ballkan ka qenë një shënjestër e lehtë për ekstremistët që kërkojnë t’i radikalizojnë ata dhe t’i bindin të luftojnë jashtë vendit, por tani prindër, aktivistë dhe organizata zyrtare islamike po kundërveprojnë.
“Dija shumë pak për fenë,” tha për BIRN 31 vjeçari mysliman nga Sarajeva, duke kujtuar prezantimin e tij me islamin radikal.
“Në shkollë të mesme, bënim gjithçka përveçse të studionim. Koncerte, bar dhe alkool,” risjell në mendje ai.
“Pas shkollës së mesme, bëra një shkëputje para se të shkoja në universitet dhe fillova punë si kamerier, sepse s’jetoja dot me një apo dy dollarë që më jepnin prindërit. Atje njoha një vajzë që më futi në botën e Islamit,” tha ai.
Ai iu bashkua lëvizjes Salafi dhe së shpejti u bë, siç e tha ai “shumë radikal”.
“Fillova të agjëroja çdo ditë, sepse mendoja se duhej të kapja ritmin. Rrita mjekrën, shkova në Xhaminë Fahd në Arabinë Saudite. Shkoja në Brijesce (zonë e Sarajevës), në dzemat (kishë e paregjistruar) për leksionet e tyre,” tha ai.
Shumica e “vëllezërve” të tij radikalë në dzemat përfunduan duke iu bashkuar Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme, tha ai – por ai, nga ana tjetër, filloi të përqëndrohej përsëri te studimet e tij dhe u largua nga qarqet islamike pas katër vjetësh.
Po të mos e kishte bërë, ai mund të kishte përfunduar si djali i Esad Kundakoviçit, i cili u vra katër vjet më parë kur forcat e presidentit sirian Bashar Al Assad nisën një ofensivë kundër qytetit të Alepos.
Eldar Kundakoviç, një student psikologjie që vinte nga qyteti serb i Novi Pazarit në zonën me shumicë myslimane të Sanxhakut, vendosi të shkonte në Siri “për të ndihmuar vëllezërit e tij myslimanë”, shpjegoi babai i tij Esad Kundakoviç.
Esad Kundakoviç ishte në dijeni të qëllimit të djalit të tij Eldarit për të shkuar të luftonte dhe u përpoq ta parandalonte atë, por Eldari ishte i bindur se misioni i tij ishte i drejtë.
Ai i tha babait të tij se do të shkonte në Stamboll për të studiuar, por përfundoi në Alepo.
Herën e fundit që Esad Kundakoviç dëgjoi për të birin ishte në pranverën e vitit 2013. Në maj, ai u vra.
Që prej vdekjes së djalit të tij, Kundakoviç është përpjekur të parandalojë që të rinj nga zona e Sanxhakut të shkojnë t’i bashkohen luftërave në Lindjen e Mesme.
Sipas policisë serbe, rreth 50 persona nga Sanxhaku kanë shkuar të luftojnë për kauzën islamike.
Kundakoviç, rrobaqepës, tha se tani i është kushtuar arsimimit të të rinjve në Sanxhak për fenë dhe jetën.
“Dua të kontribuoj me autoritetin tim dhe eksperiencën që kam, për të ndihmuar këta të rinj,sepse im bir vdiq atje”, tha ai për BIRN.
“Ata duhet ta kuptojnë se do të ketë luftëra deri Ditën e Gjykimit, por ata s’duhet të kontribuojnë në to,” tha ai.
Kundakoviç punon falas. Ai nuk ka një organizatë apo njerëz që punojnë me të, por ai i bashkohet paneleve dhe debateve të ndryshme dhe shkon në xhamitë në Novi Pazar ku flet me të rinj që kanë filluar tashmë ta shohin atë si një autoritet moral që jep këshilla të zgjuara.
Ai flet gjithashtu me të rinj në internet për informacionet që ata gjejnë në internet apo që i marrin nga predikuesit radikalë.
“I lexoj bashkë me të rinjtë dhe pastaj i interpretojmë bashkë, që të mund të krijojnë një ide më të qartë. Por nëse një djalosh i ri i lexon ato vetëm natën dhe nuk di asgjë për luftën, ai ka shumë gjasa të ndikohet,” tha ai.
Imamët luftojnë për zemra dhe mendje të reja
Në vendet e Ballkanit, radikalizmi i të rinjve kë qenë edhe më problematik, siç është rasti i Shqipërisë, ku pothuajse 150 persona kanë udhëtuar drejt Lindjes së Mesme.
Në Shqipëri njerëzit janë shënjestruar nga imamë të vetëshpallur që predikojnë versione ekstreme të islamit duke promovuar dhunë kundër jo besimtarëve.
“Në rastin e Shqipërisë, imamët e vetëshpallur kanë pasur një rol shumë negativ në nxitjen e të rinjve drejt radikalizmit nëpërmjet ideologjisë së fortë të islamit ekstrem politik,” tha për BIRN Indrit Abdiaj, drejtor i Forumit Intelektual Mysliman Shqiptar dhe themelues i Qendrës për Zhvillim Rinor dhe Përmirësim Profesional.
Abdiaj tha se ai beson se mënyra më e mirë për t’i mbajtur të rinjtë larg radikalizmit është duke u ofruar atyre interpretime jo të dhunshme të islamit dhe duke i mbajtur të përfshirë në shoqërinë myslimane.
“Duhet t’u japim atyre një tjetër narrativë dhe t’i bëjmë pjesë të komuniteteve tona,” tha ai.
Abdiaj kujtoi rastin e një 25-vjeçari nga Elbasani, i cili me shumë pak përpjekje nga komuniteti, u largua nga idetë ekstremiste.
“Ne e identifikuam atë si një person që kishte respekt dhe admirim për ideologjinë e ISIS. Hapi i parë ishte organizimi i një takimi mes tij dhe imamit vendas, ndërkohë që e ftuam atë nëpër diskutime ku flitej për çështje në lidhje me islamin dhe paqen,” shpjegoi ai.
Sipas Abdiaj, i riu filloi gradualisht të ndryshonte besimet e tij, ndërsa kuptonte se shumica dërrmuese e myslimanëve e refuzojnë ideologjinë ekstremiste.
“Ai tani është i angazhuar dhe bën një jetë të mirë, ndërkohë që s’ka më ide që kishte në të kaluarën,” tha ai.
Megjithatë, t’i bindësh njerëzit të heqin dorë nga ideologjia ekstremiste s’është gjithmonë aq e lehtë.
Abdiaj beson se mungesa e mundësive në jetë, si edhe izolimi gjeografik dhe personal, kanë ndihmuar në procesin e radikalizmit. Problemet familjare janë një tjetër faktor në nxitjen e njerëzve drejt ekstremizmit, shtoi ai.
“Këta të rinj të rritur shpesh vijnë nga familje me probleme sociale të shkaktuara nga emigrimi, divorcet dhe ngjarje traumatike,” tha ai.
Organet zyrtare islamike në Shqipëri kanë filluar gjithashtu të kërkojnë mënyra të ndryshme për të ndikuar pozitivisht te besimtarët, në veçanti tek të rinjtë.
Edhe pse ata tradicionalisht orientoheshin drejt komunikimit në xhami, shumë prej tyre tani janë në internet, duke u përpjekur të përzihen me myslimanë më të rinj, që mund të jenë të prekshëm nga radikalizmi.
Ylli Gurra, një myfti në Tiranë dhe përfaqësues i Komunitetit zyrtar Mysliman Shqiptar, tha se imamët i kanë këshilluar ndjekësit e tyre – sidomos të rinjtë – të rrinë larg xhamive informale që nuk njihen nga Komuniteti Islamik dhe ku klerikët radikalë predikojnë interpretime ekstremiste të islamit.
Gurra dikur fliste vetëm ballë përballë me myslimanët, por ai tani flet në internet, sidomos me të rinjtë.
“Shumica e imamëve besojnë se predikimi dhe këshillimi nëpërmjet rrjeteve sociale nuk është i nevojshëm gjatë gjithë kohës. Unë personalisht i përdor më shumë për të dhënë një kundër-narrativë në raste që në internet predikohen forma jo korrekte të islamit,” tha ai për BIRN.
Varfëria krijon bazë pjellore për ekstremistët
Një raport nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare nga viti 2015 arriti në përfundimin se radikalizmi islamik i vendit ka rrënjë socio-ekonomike dhe se shumica e ekstremistëve islamikë vinin nga zona të largëta dhe fetare.
Disa OJQ me bazë në Ballkan kanë kryer disa anketime duke eksploruar arsyet pse të rinjtë i janë drejtuar ekstremizmit të dhunshëm, me përgjigje që sugjerojnë se shumica prej tyre shpesh janë ndjerë të izoluar dhe mendonin se s’kishin perspektivë për të ardhmen.
Një raport nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare nga viti 2015 arriti në përfundimin se radikalizmi islamik i vendit ka rrënjë socio-ekonomike dhe se shumica e ekstremistëve islamikë vinin nga zona të largëta dhe fetare.
Varfëria dhe mungesa e institucioneve efikase shtetërore në këto zona ka krijuar një mungesë zhvillimi dhe mundësie, që ka lehtësuar shfaqjen e forcave ndikuese siç janë themelet islamike me ide radikale.
Norma e papunësisë në Shqipëri gjatë periudhës 2010-2015 ishte rreth 18-21 % e forcës totale të punës. Akoma më i lartë në rajone nga të cilat vinin shumica e ekstremistëve shqiptarë që shkuan të luftonin në Siri dhe Irak, siç janë Pogradeci, Elbasani, Librazhdi, Bulqiza, Burreli dhe Dibra.
Norma e papunësisë për persona të moshës 17 deri në 35 vjeç, që janë edhe më të cënueshëm ndaj radikalizmit, ishte edhe më e lartë, në disa zona e kapërcente 40-45 për qindëshin.
Pedrag Petroviç nga Qendra për Studime të Sigurisë në Beograd tha për BIRN se nuk ka një faktor specifik që inkurajon njerëzit të përqafojnë ekstremizmin, edhe pse ai citoi papunësinë si një prej problemeve kryesore.
“Vendet e Ballkanit janë në pozitë të keqe ekonomike, e cila po përkeqësohet. Kështu që pritshmëritë e të rinjve nuk përmbushen,” tha ai.
Petroviç tha se radikalët kanë përfituar nga të rinj që kërkojnë informacione në internet.
“Interneti u ofron të rinjve informacione të të gjitha llojeve dhe ata kanë nevojë për përgjigje të shpejta. Kështu që ata i rikthehen atyre që u ofrojnë atyre përgjigje,” tha ai.
“Ata janë një objektiv i lehtë, sepse duan të ndihen të sigurt dhe duan të kenë ndjesinë se dikush kujdeset për ta,” shtoi ai.
Trajtimi i këtij kërcënimi në internet është pjesë e një strategjie të miratuar nga Komuniteti Mysliman në Serbi për të luftuar ekstremizmin dhe probleme të tjera që prekin të rinjtë në Novi Pazar.
Strategjia parashikon arsimimin e përfaqësuesve të institucioneve fetare dhe komunale, rritjen e aftësive komunikuese të anëtarëve të Komunitetit Islamik, përmirësimin e dijeve kompjuterike dhe përdorimit të internetit dhe punën me median për të zhvilluar marrëdhënie më të mira dhe më pozitive.
Komuniteti Islamik në Bosnjë dhe Hercegovinë është përfshirë më shumë në arsimimin e të rinjve dhe forma të tjera angazhimi gjatë viteve të fundit, ose nëpërmjet leksioneve në lidhje me vlerat e islamit ose nëpërmjet takimeve në të gjithë Bosnjën ku të rinjtë vijnë të luajnë sporte.
Komuniteti Islamik përpiqet gjithashtu të shpjegojë islamin e moderuar nëpërmjet Fakultetit për Shkenca Islamike në Sarajevë, që bashkëpunon me institucione të tjera në vend për të promovuar ato që ai i quan “vlera të vërteta të islamit dhe shkencës së tij”.
Sipas Zuhdija Hasanoviç, dekani i fakultetit, përgjigja më e mirë ndaj abuzimit të vlerave fetare është të punosh me ata që u janë drejtuar ideologjive të dhunshme dhe të promovosh vlerat e vërteta të islamit.
“Ky është një proces i gjatë që s’jep menjëherë rezultate, por nuk shoh zgjidhje tjetër,” tha Hasanoviç.