Në rrugë kalon një grua…

Në rrugë kalon një grua 

Eshtë mëngjes. Bën pak fresk, por ditët e fundit të vjeshtës së tretë janë ende të ngrohta. Eshtë një fundvjeshte pak e çuditshme, ashtu siç ishte e veçantë vera që kaloi. Ajo ngjau më tepër me vjeshtën plot shira, ditë të zymta e tepër gri… 

Në këtë mëngjes të zakonshëm rrugët e qytetit kanë gjallëri më të madhe se në çdo pjesë tjetër të ditës. Nxënës e studentë shkojnë nëpër shkolla e auditore, të tjerë njerëz nxitojnë për në punë. 

Për në punë nxiton edhe V. një ish fqinja ime; ajo është edukatore kopshti. Eshtë veshur mirë, u ka shkuar buzëve një të kuq të ndezur dhe me çantëzën e lëkurtë hedhur supit, duket mjaft elegante dhe e shkujdesur. Të thuash ti, kjo zonjë u ka thënë njëherë e mirë “sikter” halleve e problemeve të jetës dhe shkon në punë e qetë dhe e gëzuar. 

Kështu mund të mendojë një kalimtar i zakonshëm, tek e sheh këtë grua të kalojë në rrugë. Por unë jo. Unë e di se ç’zjen në shpirtin e saj. Unë e kuptoj nga sytë pak të enjtur, se ajo nuk është ngopur me gjumë. Se kur i mbyll kapakët e syve, për pak çaste, ata sikur përtojnë të kthehen sërish atje ku ishin. Pakkush e di se ajo grua që kalon midis qindra njerëzve në rrugë, është e dhunuar. Dhe ja ç’i ndodhi mbrëmë asaj: 

Kishte rënë nata dhe djali i vogël çamarrok, i cili shkon në shkollën fillore, nuk ishte kthyer akoma. Shtëpia ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, e cila shkon sivjet në gjimnaz. Në shtëpi janë dy të mëdhenjtë, që po përgatisin mësimet për nesër, në dhomën e vetme që ka familja. 

I vogli kushedi se ku është harruar, duke luajtur me fëmijët e lagjes. E ëma thërret disa herë nga dritarja, del thërret edhe në oborr, por i biri nuk përgjigjet, sikur s’gjendet asgjëkundi. Atëherë ajo del ta kërkojë e alarmuar, duke e çuar mendjen në të keq, siç shkon mendja e çdo nëne. Diku e gjen djalin dhe kthehet e gëzuar në shtëpi. Po ç’e pret atje, pa?! 

Para disa minutash është kthyer nga pijetorja i shoqi, një ish shofer, i cili e humbi makinën që kur falimentuan ndërmarrjet. Ai ishte bërë tapë, nga derti që e mundonte. Pronari, ku ai punonte si saldator deri dje, ia kishte ulur rrogën pa asnjë shkak dhe ish shoferi, nga inati, ia kish flakur veglat e saldatriçes dhe kishte braktisur punën… 

Kur erdhi gruaja me djalin për dore, i shoqi i kishte vënë të dy fëmijët e mëdhenj në rresht dhe se ç’i urdhëronte. Ata nuk e kuptonin fare, ndërsa ai kishte hequr këpucën dhe mundohej t’i godiste me të. Fëmijët edhe qanin, edhe qeshnin me të atin. Shtëpia zjente. Zhurma dëgjohej deri jashtë. 

Me të parë të shoqen që po vinte, i dehuri sikur u gjallërua. I urdhëroi të porsaardhurit që të hynin edhe ata në rresht. Gruaja dhe djali i vogël u lebetitën dhe vrapuan të frikësuar jashtë. Dolën ndërkohë edhe fqinjët dhe e morën nën mbrojtje gruan dhe fëmijët. Ndërsa ish shoferi u shtri pa ndjenja sa gjatë gjerë në mes të korridorit të errët. 

Ky është një realitet që ndodh shpesh në familjen e zonjës V. Disa herë ajo e ka bërë me mend të ndahet nga burri. Po ku të mbytet me të tre fëmijët?! Shtëpi nuk ka. Pastaj burri i saj është i mirë kur nuk pi. Ata janë martuar dhe me dashuri, ta hajë dreqi… Gruaja nuk gjen dot mënyrën si ta ndalojë, që të mos pijë aq shumë. Shpresa më e madhe është puna. Kur punon, ai pi më rrallë. 

Kur banoja pranë tyre, shpesh u jam gjendur pranë në ditë të vështira, kurse tani… Megjithatë sot vendosa sërish t’i ndihmoj sepse më dhimbsen, sepse janë njerëz të mirë. Eshtë e dhimbshme të shohësh tek shkoqet një familje, tek vuajnë fëmijët dhe gratë, vetëm e vetëm se burri i shtëpisë nuk e frenon dot nepsin e vet për të pirë alkool. 

Tani më duhet të nxitoj, ta takoj ish shoferin, të cilit duhet t’i ketë dalë pija. I kam gjetur një punë të re; një miku im ka nevojë për saldator të mirë. Kësisoj unë do të kem mundësi të rri më shpesh me të, të bisedoj për hallet dhe shqetësimet që ka. T’i jap edhe ndonjë libër artistik për të lexuar. Ai i ka patur shumë qejf librat. Dikur ishte miku më i mirë i bibliotekës sime. Dua që të bëhet përsëri i tillë. Unë kam besim tek ai. 

H.K 

Shkëputur nga përmbledhja me ese “Hapësirë pa Dhunë”, ideuar nga shoqata “Unë, Gruaja, botuar në Dhjetor 2004, nga ShB “Dija Poradeci”. 

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram