Gjithçka atë ditë kishte marrë për ters.
Zhurma të tmerrshme dhe klithma më torturonin çdo sekondë.
Tani isha shndërruar në një kriminele.
Gjithmonë mendoja, se dashuria do të shëronte çdo, plagë por ajo më hapi plag të thella dhe të pashtershme.
Isha vetëm 16 vjeç kur për herë të parë u dashurova me një njeri, i cili më bëri shumë shpejt për vete. Me të mund ta pranoja që isha e dashuruar dhe s’kisha asnjë rrugë të kthehesha mbrapsh, por shumë shpejt ndodhi diçka që më shkatërroi çdo ndjenjë, çdo emocion.
Një ditë me dyshime se mos kisha mbetur shtatëzanë bëj testin dhe e tensionuar shikoj se del pozitiv.
O zot, isha vetëm 16 vjeçe dhe brenda trupit tim po rritej një krijesë. Me frikën dhe ankthin që ndjeva ato momente, shkoj e i tregoj të vërtetën të dashurit tim.
O zot, ulërimat e tij ishin të tmerrshme.
Ai u xhindos në mënyrë më mizore, duke më parë si të isha një krijesë e ardhur nga një planet tjetër. E kuptova se ai nuk e donte këtë fëmijë, por tani dhe më tepër më urrente dhe mua.
-O perëndi, çdo të thotë familja ime, po njerëzit rreth e rrotull. Vetëm kur e ndjen veten në qendër të thashethemeve, më vinte të vrisja veten. Kisha mbetur në mes të katër rrugëve. Nuk e dija se ç’do të bëja!
Kur një ditë duke shkuar në shkollë, shikoj të “dashurin tim”, që tani ishte shndërruar si një varr i dyfishtë. Ai më kapi për dore, më futi në makinë dhe me hipokrizinë më të madhe më pëshpëriti në vesh:
“Ti do ta heqësh këtë fëmijë”. U tmerrova, nuk e kuptova seç po thoshte. Si mund të më detyronte të bëja diçka të tillë?
Po unë si mund ta bëja vallë?
Dhe sa hap e mbyll sytë u gjenda në një klinikë. Ai më kërcënonte dhe më thoshte të bëja çfarë thoshte ai.
Krejt e pambrojtur në atë çast heshta, dhe me heshtjen time ndodhi gjithçka. Fillova të qaja me ngashërim, s’mund t’i besoja vetes, kisha vrarë një krijesë të pafajshme dhe mbi të gjitha fëmijën tim.
O zot! Më dhimbte i gjith trupi. Edhe lotët më dhimbnin.
Gjithçka ishte shndërruar në vuajtje.
Kur gjithçka mbaroi, më la të ikja sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Nuk doja ta pranoja, doja të shkoja në polici, por befas kujtova nënën, babain, motrën, vëllain.
Ç’do të thoshin për mua? Dhe mendova se me një fjalë do t’i hapja varrin vetes.
Për hatër të të tjerëve heshta.
Heshta duke vrarë shpirtin tim.
Tani çdo ditë më duket bosh, me mendimin se çdo të bëhet me mua.
Vrava një krijesë të pafajshme.
Përse?
Përse duhet të ndodhte kështu?
F.D
Shkëputur nga përmbledhja me ese “Hapësirë pa Dhunë”, ideuar nga shoqata “Unë, Gruaja, botuar në Dhjetor 2004, nga ShB “Dija Poradeci”.