ROLI I GRUAS NË PARANDALIMIN DHE KUNDËSHTIMIN E EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM

Rudina Çollaku
Vitet e fundit është parë një rritje dramatike e aktiviteteve terroriste anembanë botës, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen e grupeve nga Ballkani Perëndimor.

Asnjë shtet dhe asnjë shoqëri nuk është imune ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Pas pranverës arabe, u vu re një tendencë në rritje e ekstremizmit të dhunshëm, si ekstremizmi fetar, social, ekonomik, si dhe partiak (ekstremizmi i djathtë apo i majtë).

Lufta në lindjen e mesme, fluksi i emigrantëve, kriza ekonomike bënë që në Kontinetin Europian të rriteshin sulmet me natyrë ksenofobe edhe islamofobe, si dhe të shfaqeshin lëvizjet që i mendonim se nuk ekzistonin më, si lëvizjet naziste, apo rritja e partive populiste, të cilat në çdo zgjedhje po fitojnë gjithmonë e më shumë mbështetje tek masa. Kujtojmë këtu zgjedhjet në Austri, dhe së fundmi në Itali.

Duke parë situatën e pafavorshme që po kalon Kontinenti Europian, ku edhe vendi ynë nuk bën përjashtim, pasi kemi pasur raste që shtetas shqiptarë janë bashkuar me grupin terrorist Isis, është e nevojshme që për të goditur ekstremizmin e dhunshëm të shihen shkaqet e tij që në rrënjë, që fillojnë nga ideologjia si element parimor, por edhe roli i grave në parandalimin dhe kundërshtimin e Ekstremizmi të Dhunshëm (VE).

Gratë kanë dhënë një kontribut të pakët në këtë drejtim, pasi kultura e tyre për paqe dhe siguri dhe në parandalimin e ekstremizmit është në fazën embrionale.

Përfshirja e grave dhe përpjekjet për të qenë aktore në parandalimin dhe në kundërshtimin e terrorizmit vjen si rezultat i rishikimit nga OKB -ja në vitin 2014, duke i kërkuar shteteve anëtare marrjen në konsideratë të Rolit të Gruas në Planin e Veprimit. Gjatë vitete të fundit, rolit të gruas në parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe fuqizimit të saj po i kushtohet një vëmendje e madhe ndërkombëtare.

Në vitin 2016 Plani i Veprimit i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, kishte të përfshirë në të rolin e grave dhe vajzave, si dhe barazisë gjinore në forcimin e përpjekjeve të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Gjithashtu kjo mungesë e përfshirjes së grave vjen dhe si rezultat i shumë mangësive, ndër to; mangësia e studimeve mbi gratë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për CVE, mungesa e grave profesioniste dhe eksperte në fusha të sigurisë të zgjidhjes së konflikteve dhe rindërtimit pas konflikteve dhe të CVE, mangësi këto që shtrihen pothuajse në të gjithë kontekstin e Ballkanit Perëndimor, e si rrjedhojë edhe në vendin tonë.

“Gratë janë një potencial real i mesazheve paqësore në komunitete. Ne i fuqizojmë ato për të gjetur zërin e tyre, për t’u përfshirë në hartimin e politikave në fushat e tyre përkatëse, të jenë ato nga fshati, qyteti ku jetojnë, ose të jenë aktive politikisht në nivel kombëtar. Qëllimi është të fuqizojmë gratë me shpresën se duke i fuqizuar ato, do të ndryshojmë dinamikën e komuniteteve të tyre dhe do të çojmë në promovimin e paqes dhe mesazheve tolerante”- ka thënë Yenny Wahid, presidentja e Fondacionit Wahid.

Në anën tjetër të medaljes organizata terroriste i dha rëndësi gruas në zhvillimin famëkeq të tyre. Ngritja e formacionit ushtarak Hansa, vajzave të reja nga Europa që udhëtuan në Irak dhe Siri, modeli i vajzës gjermane ose siç është quajtur ndryshe “E bukura e Mosulit”, pjesëmarrja e tyre në formacionet ushtarake, vërteton më së miri përparësinë që iu dha grave dhe rritjes së numrit të tyre në rekrutim.

Këta rekrutues, mjeshtër të përcjellës së mesazhit, me thjeshtësi arritën të rekrutojnë mijëra gra nga e gjitha bota thjesht nëpërmjet indoktrinimit dhe fuqisë së rrjeteve sociale. Gjithashtu del në pah nga të dhënat dhe studimet se luftëtarët, të cilët iu bashkangjitën grupit terrorist Isis, nuk iu bashkangjiten vetëm si individë por morën me vete edhe familjet e tyre, gra e fëmijë, për të treguar një shpërngulje totale për kauzën e tyre ekstremiste, ku pati dhe pjesëmarrje nga gratë shqiptare.

Kultura fetare dhe çfarë kanë thelb çdo ideologji fetare në Shqipëri prej vitesh është bërë në mënyrë të pavaruar kryesisht nga të huaj, organizata fetare dhe shoqëria civile.
Kjo, por edhe shumë faktorë të tjerë si në vijën e parë të marrëdhënies shtet-komunitete, por edhe nga shoqëria civile thellon dhe rrit problematika që më pas prodhojnë konflikte dhe dëme.
Gjithashtu brenda komuniteteve fetare shihet një mangësi e madhe e kapaciteteve përfaqësuese e burrave dhe grave, si në funksionin e klerikeve, por edhe në atë të përfaqësimit të institucioneve përkatëse fetare.
Institucionalizimi i fesë dhe i komuniteteve fetare është priorititet dhe detyrë e institucioneve qeveritare për t’i dhënë zgjidhje shumë problematikave që vijnë si shkak i mosqeverisjes së mirë.

Roli i klerikeve gra, eksperteve të teologjisë, të cilat për hir të vërtetës në rajonin e Ballkanit janë shumë pak, nuk i është dhënë mbështetja e duhur dhe kjo është një nga shkaqet që gjithashtu komuniteti i grave ka nevojë për të punuar me to. Edukimi fetar përballet me problematika të shumta dhe një ndër shkaqet kryesore, e cila çoi në radikalizim, pikërisht erdhi si pasojë e dijes së pakët dhe keqinterpretimit nga klerikë të painformuar.

Margjinalizimi i grave praktikante, mospërfshirja, paragjykimi çon në izolimin, diskriminimin e tyre për shkak të bindjeve fetare. Feja është e drejtë universale dhe si e tillë duhet parë në çdo shoqëri. Rritja e shërbimeve brenda komuniteteve të ndryshme është një nevojë e ditëve të sotme. Komunitetet duhet të angazhohen që të forcojnë zërat e shoqërisë civile, grave dhe të rinjve në përhapjen e mesazheve pozitive të paqes.
Megjithatë për të arritur këtë qëllim duhet të fuqizojmë rolin e gruas brenda dhe jashtë komuniteteve. Rol ky, i cili fillon me dhënien e të drejtave të tyre, me punësimin, integrimin në sfera të ndryshme social-kulturore, duke e trajtuar rolin e gruas jo vetëm në konceptin e barazisë, por edhe në konceptin e kulturës sigurisht dhe të paqes.
Çdo formë e ekstremizmit kundërshtohet më së miri duke sjellë alternativa që mundësojnë rritjen e nivelit të arsimit, zhvillimin e mendimit kritik dhe mundësi më të zgjeruara për të rejat dhe gratë. Rolet tradicionale që i atribuohen grave në shumë shoqëri, si gruaja, nëna dhe edukatorja, një mësues mund t’i fuqizojë ato në disa raste për të sfiduar narrativat ekstremiste, për ta bërë ekstremizmin dhe dhunën një mundësi më pak të dëshirueshme.

Në këtë kuadër nevoja për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e gruas në parandalimin e çdo lloji ekstremizmi, i cili në çdo shoqëri ka forma të ndryshme si ekstremizmi politik, social, fetar, është mëse i domosdoshëm dhe i barasvlefshëm me atë të meshkujve. Duke marrë në konsideratë që programi i CVE është një përpjekje afatgjatë për ndryshimin e mentalitetit, duhet të jetë një program i qëndrueshëm që kërkon shpërndarjen e burimeve financiare në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme. Dhënia prioritet grave të shoqërisë civile dhe organizatave të grave në veçanti që veprojnë në fushën e të drejtave të grave, në fuqizimin e të rinjve dhe hartimin e shkëmbimit të eksperiencave midis tyre në nivel ndërkombëtar dhe lokal, për partnerizim në objektiva të përbashkëta dhe për më tepër bashkëveprim janë mëse të nevojshme, nëse duam që gruaja të jetë vërtetë efikase në këtë beteje.
Këto organizata kanë avantazhe të posaçme kur krijojnë qëndrueshmëri në nivel komuniteti përmes promovimit të zhvillimit gjithëpërfshirës, tolerancës dhe respektit për diversitetin. Në të vërtetë, këto organizata shpesh kanë marrëdhënie të thella dhe kuptimplota me komunitetet e tyre dhe një histori për adresimin e nevojave të komunitetit.
Në mënyrë që ato të bëjnë një gjë të tillë, është e rëndësishme të krijohen aftësitë dhe kapacitetet standarde. Fuqizimi i grave dhe pjesëmarrja aktive janë dy faktorë themelorë për ndërtimin e bashkësive të qëndrueshme ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Kur fuqizohen në mënyrë efikase dhe të përshtatshme, gratë mund të shërbejnë si një front jashtëzakonisht efektiv kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Vlerat universale të të drejtave të njeriut, të drejtat e gruas dhe roli i saj në shoqëri, njohja me ligjin dhe të drejtën e besimit janë çelësi praktikisht i dobishëm dhe për arritjen e qëllimit të këtij plani dhe programi që gratë të jenë në frontin e parë në parandalimin e ekstremizmit.
Burimi: Gazeta Mendimi

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram