Sasha

-Nuk janë këta të parët që po na njohin me Biblën, por ne u rritëm pa Zot e tani ndjekim zakonet e traditat për respekt të të mëdhenjve dhe pastaj, Zoti është kaq i shenjtë sa nuk mund të përzihet me ne mëkatarët e vegjël. Unë besoj me mënyrën time, -komentoi Mamica.

Në një nga këto ditë, Mamica i tha së bijës se kish dëshirë të shkonte në kishë. Sasha u gëzua vërtet. Ajo e dinte se në kishën e tyre kish takime grash çdo të mërkurë ku lexohej e komentohej Fjala, luteshin e adhuronin për gati dy orë. Do të ishte mjaft mirë për Mamicën të shkonte në këto takime edhe për t’u shkëputur nga monotonia e së përditshmes. Ajo, Mamica, mendonte se mund të ishte e dobishme për dikë atje. Kështu pasditen e së mërkurës shkuan të dyja në kishë. Edhe pse shumica ishin gra Sasha qëndroi e u ul pranë Mamicës.
Drejtuesja e grupit ishte gruaja e Viktorit, pastorit. Quhej Nexhi e ishte mësuese në liceun artistik “Jordan Misja”.

E pranuan sikur të kishin vite që njiheshin. Falënderuan Zotin, e lavdëruan me këngë, dëshmuan eksperiencat e tyre në besim e u lutën për të gjithë, qeveritarë e pushtetarë, të sëmurë, jetimë, vejusha, të varfër e të pastrehë, të vetmuar e të pikëlluar, të brengosur e të burgosur. Pastaj Nexhi i njohu shkurt të tjerat me Mamicën duke nënvizuar se ish gruaja e Todit dhe mamaja e Sashës dhe se nuk ish hera e parë që ajo vinte në kishë. E falënderoi për pjesëmarrjen e uroi që të vinte më shpesh.

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram