SE BASHKU PER TOLERANCE E PAQE

SE BASHKU PER TOLERANCE E PAQE
Radikalizmi përcaktohet si besimi se shoqëria ka nevojë të ndryshohet dhe se këto ndryshime mund të vijnë vetëm në mënyrë revolucionare. Ekstremizmi, nga ana tjetër, nuk është gjë tjetër veçse gjendja e të qenit ekstrem apo përkrahja e ideve ekstremiste. Me pak fjalë, që të gjithë mund të quhemi deri diku posedues të ideve radikaliste apo ekstremiste, pasi secili prej nesh ka diçka në të cilën beson me gjithë shpirt, edhe pse mund të shihet nga të tjerët si përtej normales.
Çfarë i bën këto dy fenomene të shihen si të rrezikshme është dhuna dhe terrori që vijnë si pasojë e tyre. Njerëzit, të organizuar në grupe në shumicën e rasteve, verbohen aq shumë nga ajo që duan të arrijnë sa bëhen imune kundrejt ndjenjave njerëzore, duke përdorur forma nga më të dhunshmet për të arritur kënaqësinë e fitores. Kjo është pikërisht çka po ndodh në fenë e botës së sotme. Zënkat fetare nuk i kanë munguar kurrë njerëzimit dhe kjo është diçka normale duke marrë në konsideratë vetë natyrën kundërshtuese të njerëzve kur nuk përkrahin të njëjtat ide. Ndërkohë, luftërat e shekullit të XXI për shak të fesë janë diçka krejt ndryshe, ku në vend të fjalës, përdoret dhuna e në vend të arsyetimit, përdoret heshtja e përjetë e “rivalit”.
Ekstremistët fetarë nuk bëjnë gjë tjetër veçse mohojnë liritë e të drejtat themelore që i zotëron çdonjëri prej nesh në këtë planet. Me pak fjalë, me dhunën e kërcënimet e tyre, të detyrojnë të ndash të njëjtat ide radikale me ta ose përndryshe humbet menjëherë të drejtën e jetës. Sigurisht, nuk duhet lenë pa përmendur dhe ana tjetër e monedhës, një anë më naive se e para. Në këtë anë të monedhës, njerëzit mahniten aq shumë nga shpresat e kota dhe jeta magjike që portretizojnë ekstremistët fetarë sa vendosin vetë, me ndërgjegjen e tyre të plotë, t’i bashkohen asaj magjie të rreme. Fatmirësisht, kjo anë e monedhës, mund të zhduket plotësisht nëse të gjithë bashkëpunojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në shmangien e këtyre vendimeve të gabuara.
Nga një studim i kryer, personat që preken më shumë nga idetë ekstremiste janë adoleshentët dhe personat me probleme ekonomike që e shohin si shpëtimin e vetëm nga varfëria dhe dëshpërimi. Prandaj, duke mos lënë pas dhe qytetarët e tjerë të komunitetit, vëmendja ime do të përqëndrohej kryesisht në këta persona që janë më të ndjeshëm ndaj ekstremizmit. Duke qenë se adoleshentët ende nuk kanë të formuar në mendjet e tyre një ide ekzaktësisht të qartë rreth këtyre fenomeneve, gjëja e parë që do të bëja të mundur, do të ishte organizimi i një seminari njohës rreth temës dhe këshillues në të njëjtën kohë në të gjitha shkollat e mesme të qytetit, Përveç kësaj, besoj se do të ishte një ide mjaft përfituese nëse diçka e ngjashme me ekstremizmin dhe pasojat e tij do të vihej në skenë për të gjithë nxënësit. Në këtë mënyrë, ata do të njiheshin më tepër me fenomenet e lartpërmendura dhe do të tregoheshin më të kujdesshëm duke parë se si angazhimi në ekstremizmin fetar dhe radikalizmin e dhunshëm mund të rezultojë në fatalitet. Përsa u përket personave me probleme ekonomike, do të sugjeroja formimin e grupeve mbështetëse ku njerëzve t’u dhurohej mbështetje financiare dhe psikologjike, në mënyrë që t’i rifitojnë shpresat te vetja e aftësitë e tyre dhe të mos marrim vendime të shpejta, por të gabuara për të cilat do të pendoheshin së shpejti.
Unë jam e mendimit se komunikimi është çelësi i zgjidhjes së çdo konflikti, qoftë i madh apo i vogël. India është një ndër shtetet më të mëdha të botës dhe e fitoi pavarësinë nga kolonitë britanike vetëm nëpërmjet fjalës. Ajo që dua të them është se paqja është diçka shumë e thjeshtë për ta arritur. I vetmi problem është se njerëzit e komplikojnë atë aq shumë sa duket e pamundur, sepse secili prej nesh shkon në rrugën e vet pa e vënë kurrë në zbatim shprehjen e njohur “Bashkimi bën fuqinë”. Prandaj, për ta përmbyllur, e vetmja gjë që mund të them është: Vetëm mund të arrijmë shumë pak gjëra, por së bashku, asgjë dhe askush nuk mund të na ndalojë në rrugën tonë drejt paqes universale.
Punoi: Xhersila Olldashi
Kolegji “Mehmet Akif”, Tiranë

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram