Ta kthejmë sportin në një festë rinore me mesazhe kudër dhunës
Sporti zë një vend të rëndësishëm në jetën sociale të shoqërisë. Ai është pjesë e rëndësishme e të gjitha target grupeve, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e tyre, si në aspektin fizik dhe atë mendor.
Në ditët e sotme po iu jepet një prioritet sporteve cilësore si: futbollit, basketbollit, volejbollit dhe shumë e shumë sporte të tjera, që janë dhe të programuara në lojrat olimpike.
Këto sporte në vetëvete grumbullojnë shumë dashamirësi që direkt apo nëpërmjet medias vizive dhe të shkruar ndjekin në vazhdimësi ekipet.
Aktorët kryesorë, që janë lojtarët duhet të japin performancën më të mirë për të qenë sa më të dashur dhe rekreativë për fansat e tyre, por edhe për të përfituar në aspektin social. Nga ana tjetër kanë dhe palën kundërshtare me të cilën do të përballen për të dhënë një shfaqje sa më të këndshme, që në vetvete prodhon adrenalinën, e cila ka ndikimin e saj, si pozitiv ashtu dhe negativ. Bëhet fjala për fituesit dhe humbësit në fushën e lojës dhe jashtë saj.
Në mjediset sportive në disa raste ka shfaqje të dhunës,duke mos pranuar rezultatin brenda dhe jashtë saj. Ato ndikojnë negativisht në edukimin e shoqërisë tonë, mbasi udhëhiqen nga një adrenalinë e të qenit fitues, e të qenit i pari apo humbës.
Pra duhet që pushtetet vendore dhe qëndrore në bashkëpunim me shoqërinë civile në këto grumbullime të mëdha, të hartojnë plane dhe strategji që të kalohen në festa të mirëorganizuara siç ndodh në Olimpiadat.
Sensibilizimi nëpërmjet fletëpalosjeve, qendrave të zërit, grupeve artistike në fillim apo në pushim të aktiviteteve, do të shërbente mjaft në minizimin e incidenteve dhe dhunës në këto mjedise.
Pra duhen politika të qarta të shoqëruara dhe me buxhete, duke angazhuar punonjësit e qendrave kulturore artistike, nxënësit e shkollave dhe shoqërinë civile, e cila është një vlerë e shtuar për shoqërinë.
Sporti ka fuqinë që gjithçka që prodhon ta kthejë në festë. Nëpërmjet tij fitojnë të gjithë aktorët dhe spektatorët.
Mesazhet e tij janë të prekshme e të ndjeshme, prandaj më shumë se kurrë duhet investuar në këtë fushë.
Në qytetin e Pogradecit, në shkallë Kombëtare është krijuar e para shoqatë sportive me emrin “Ringjallja”, që daton në 25 korrik 1996. Kjo ngjarje ishte domosdoshmëri e kohës, kur jeta dhe gjallëria e qytetit tonë, Pogradecit kishte precipituar për keq dhe nuk po funksiononte as klubi shumësportësh. Ajo gjeti përkrahjen edhe të forumit OJF –ve, që drejtohej nga Dhimitër Pojanaku. Mësuesit e fizkulturës, të rinj, të reja të apasionuar pas shumësporteve i dhanë një tjetër fytyrë qytetit tonë, duke marrë pjesë në aktivitete lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Shoqata sportive “Ringjallja” kishte për qëllim gjallërimin e jetës të të gjitha target grupeve, me moton se “Krahas bukurisë fizike dhe mendore, ajo ngjall dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin”, virtyt që qyteti ynë po e ruan edhe sot, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me forumin e OJF–ve Pogradec, në veçanti me shoqatën “Unë, Gruaja”, që nuk resht së punuari në fushën e saj, por edhe në atë sportive. Ambientet e qytetit tonë kanë dorën dhe mendjen e saj, për të qenë sa më pranë komunitetit, për ta bërë atë sa më të ndjeshëm, sa më të dashur, duke sensibilizuar në të gjitha takimet sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, me postera, qendër zëri, fletëpalosje, veprimtari artistike, duke i kthyer sportistet dhe sportistët në aktorë kryesore të dashurisë dhe respektit të ndërsjelltë, me moton “Nëpërmjet sporteve fitojmë të gjithë”. Pogradeci falë punës të Shoqates “Unë, gruaja” në bashkëpunim me të gjitha shoqatat në Bashkinë Pogradec është pararendëse e trajtimit të problemeve të dhunës në tërësi dhe shkallë kombëtare.
Qyteti rrezaton kulturë me moton e shoqatës “Unë, Gruaja”: “Të ndihemi të sigurt në mjediset ku jetojmë”.
Kjo shoqatë ka vënë në lëvizje nëpërmjet bashkëpunimit Rendin Publik, institucionet e mbrojtjes së mjedisit, Drejtorinë Arsimore, punonjësit e kulturës, rinisë e sporteve dhe kjo moto është promotore, mbasi i ka rrënjët tek bashkëpunimit me të gjithë aktorët lokalë. Kjo këmbëngulje ka ngritur dhe këshillin vendor për sigurinë publike, po ashtu në gjithëpërfshirje janë bashkuar edhe shoqatat me aktive të Bashkisë Pogradec.
Me ekipet e futbollit, volejbollit të vajzave Pogradec, në takimet e tyre me skuadrat e rretheve të tjera Shoqata “Unë, Gruaja” ka marë pjese aktive në fillim, pushimin e takimit, si me sportistet, sportistët, po ashtu dhe spektatorët në shkallët e stadiumit apo pallatit të sportit, duke shpërndarë fletëpalosje si të parandalojmë dhunën, si të marrim informacionin e nevojshëm ku duhet denoncuar dhuna. Nëpërmjet qendrës së zërit, këngëve të ndryshme, informimit për familjen dhe shoqërinë ka elektrizuar gjithë ambientin. Posterat janë vënë në duart e të gjithë aktorëve, duke pozuar me to dhe kështu mesazhi ka shkuar përtej Pogradecit, nëpërmjet medias së shkruar, asaj vizive dhe rrjeteve sociale, në të gjitha shtëpitë tona.
Me punën plot përkushtim dhe profesionalizëm Shoqata “Unë, Gruaja” ecën me kohën në të mirë të kohës me komunitetin dhe për komunitetin.