Elisaveta Kapurani

Shqipëria, vendi i rivierave magepsëse, i historisë mbresëlënëse dhe i vlerave të humbura. Çdo ditë e më shumë shohim një Shqipëri që venitet, madje dhe në sytë e nacionalistëve më të thekur. Sapo hap televizorin apo logohesh në rjetet sociale, të bien në sy lajmet e zeza, lajmet që pasqyrojnë dhunë, krim dhe makabritet. A e keni vënë re sa shumë janë shtuar sjelljet e dhunshme dhe eksremiste në vendin tonë? Dhe ironia më e madhe qëndron në faktin që janë pikërisht të rinjtë e vendit që përfshihen në këto situata. Të rinjtë, ata që quhen rëndom e ardhmja e vendit. Por, a është kjo e ardhmja që ne duam dhe ëndërrojmë në ato minutat e fshehta që ndajnë gjumin nga zgjimi? A është kjo edukata që duam të përçojmë tek fëmijët tanë? 

Sjelljet e dhunshme dhe ekstremizmi janë nga çështjet më të thella me të cilat përballet shoqëria e sotme “moderne”, nëse mund të quhet e tillë. Dekadave të fundit, vendi jonë ka njohur përparime të shumta si përhapja e gjerë e arsimit, lirisë së mendimit dhe fjalës, lirisë nga privimi, përmbushjes së nevojave dhe dëshirave bazë, përmirësimit të kushteve socio-ekonomike dhe stilit të jetesës, përmirësimit të praktikave të rritjes së fëmijëve etj. Pavarësisht kësaj, sjelljet e dhunshme rriten, madje në përmasa të frikshme. Gazetat e përditshme të lajmeve, mediat elektronike si televizioni dhe radioja janë plot me informacione mbi dhunën, krimin, vrasjen, përdhunimin, abuzimin e fëmijëve, ngacmimet seksuale etj. Dhuna e tmerrshme veçanërisht ndaj grave, fëmijëve dhe personave të pafajshëm tregon sëmundjen të rrezikshme që ka prekur shoqërinë tonë. Shumë nëna, gra dhe fëmijë janë viktima të kësaj sëmundje.

Institucionet arsimore janë perlat e vendit, por ja që së fundmi, ju ka humbur shkëlqimi. Roli kryesor i këtyre institucioneve është edukimi dhe shkollimi i fëmijëve, të rinjve si dhe të rriturve. Them shkollim dhe edukim sepse janë dy koncepte të ndryshme. Dikush mund të jetë tepër i shkolluar, intelektual në masë, por mund ti mungojë edukata. Raste të tilla i hasim kudo, që nga supermarketi i lagjes deri në instancat më të larta shtetërore. Institucioneve arsimore po ju humb shkëlqimi për shkak të rasteve të dhunshme që ndodhin çdo ditë e më shumë. Të rinj që përfshihen në zënka apo bien viktimë e zënkave të të tjerëve. Të reja që kapen për flokësh në oborrin e shkollës, të rinj që sillen keq me mësuesit, mësues që ushtrojnë dhunë ndaj nxënësit, e shumë problematika të tilla, janë ato që pasyqrojnë sjelljet e dhunshme dhe eksremiste nëpër shkolla. Nuk mund të ngremë kurrsesi gishtin për ti vënë fajin ndokujt. Faji në këto raste është i përgjithshëm. Fajtorë jemi të gjithë. Po, po, të gjithë ne që i shohim dhe nuk ndërhyjmë! Të gjithë ne që i dëgjojmë por bëhemi të shurdhër, që i shohim dhe kthehemi në të verbër, që i ndjejmë dhe zhdukim ndjenjat. 

Sa të ndryshëm që janë njerëzit me njëri-tjetrin! Me aq shumë detaje e hollësi sa ndryshojmë nga tjetri, në të njëjtën formë na ndryshojnë edhe mendimet, idetë apo këndvështrimet. Por, si duket, të rinjve nuk ju pëlqejnë këndvështrimet e të tjerëve. Dëgjojmë shpesh të rinj (por dhe të rritur) të konfliktohen me njëri-tjetrin për shkak të bindjeve të tyre, qofshin ato politike apo të ndonjë forme tjetër. Dëgjojmë për të rinj që konfliktohen, ofendohen madje dhe gjymtohen apo vriten për shkak të bindjeve të ndryshme. Është pikërisht mosrespektimi i ideve dhe këndvështrimeve të tjetrit që sjellin sjellje të dhunshme dhe ekstremiste. Këto sjellje nuk janë kurrsesi të hijshme apo të pranuara në një shoqëri që synon të lulëzojë, dhe jo të bëjë hapa mbrapa. Sot të rinjtë duhet të mësojnë të respektojnë mendimin dhe opinionin e tjetrit, edhe nëse nuk bien dakort. Ata duhet të mësojnë ti kthejnë grushtet në fjalë dhe armët në argumenta. Të gjithë duhet të jemi njëzëri pro për mbrojtjen e ideve, por vetëm nëse këto ide mbrohen në paqe dhe sjellin të mira. 

Mos ta përgjithësojmë dhunën! Ajo shfaqet në mënyra të ndryshme ashtu si një kameleon që ndërron ngjyrat e lëkurës së vet. Shpesh dhe ndoshta jo qëllimisht ne ushtrojmë dhunë nëpërmjet fjalës, fjalës së rëndë dhe ofenduese. Fakti që sot gëzojmë liri të plotë të fjalës nuk do të thotë që duhet ta përdorim fjalën për të lënduar dikë tjetër apo për të shtrembëruar të vërtetën. Nuk duhet të nxisim urrejtje ndaj askujt duke i flakur fjalët si një gur në mes të pellgut të plogët. 

Prandaj sot, me këtë shkrim dua të jap disa mesazhe. Prindër, mësojini fëmijët tuaj që në vegjëli se të gjithë jemi ndryshe dhe ndodh që mendimet tona mos përkojnë në asnjë pikë me të tjetrit! Mësojuni fëmijëve se të gjithë jemi vepra arti të papambaruara, dhe dorën e fundit ja japim vetë vetvetes. Të rinj, mbajeni vullnetin e mirë në doza të habitshme! Mos harroni që nuk mund ta ndryshojmë botën duke qënë cinik! Pranojeni tjetrit ashtu si është, përqafojani idetë dhe nëse jeni kundër, argumentoni me fjalë! Njerëz, shmangeni dhunën dhe sjelljet që paraprijnë apo pasojnë atë! Nuk ka shoqëri më të bukur se ajo ku të gjithë shkojnë mirë me njëri-tjetrit, respektojnë idetë dhe opinionet e tjetrit dhe falin dashuri dhe mirëkuptim. Organizata, mblidhini të rinjtë dhe mësojuni mbi dashruinë, tolerancën dhe të mirat që ato falin! Le të bëhemi një së bashku dhe të luftojmë kundër çdo lloj dhune!

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram