Iris Beqiri

Sjelljet e dhunshme dhe ekstremiste janë një fenomen shumë i përhapur së fundmi. Bëhet fjalë për një problematikë që ekziston në të gjithë botën dhe që dita-ditës po trajtohet me më shumë vëmendje. Është me shumë rëndësi të kuptojmë se cilët janë shkaqet dhe arsyet e krijimit të këtyre sjelljeve, të dimë më mirë pasojat e të gjejmë mënyrat e parandalimit të tyre. 

Ekstremizmi dhe sjelljet e dhunshme janë shfaqur në shoqëri dekada më parë. Vitet e fundit këto sjellje janë evidentuar akoma më shumë nga një sërë ngjarjesh të ndodhura në të gjitha kontinentet. Ky fenomen ka të bëjë më një serë aspektesh: fetare, politike, etnike, ideologjike, etj. Kur përpiqemi t`i kuptojmë më mirë, është e pashmangshme të mos kërkojmë të kemi të qarta burimet e këtyre sjelljeve. Ekstremist bëhesh, nuk lind. Pra, janë disa faktorë që e shtyjnë një individ ose grup shoqëror të ndërmarrë sjellje të dhunshme dhe ekstreme. Së pari, ekzistojnë faktorët psiko-sociale: ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur, zakonisht në mënyrën e jetesës, që kanë lënë frikë e trauma. Së dyti, faktori ekonomik: varfëria, papunësia, vështirësitë financiare. Së treti, situata globale e pasigurt  dhe më shumë pikëpyetje për të ardhmen. Në epokën e teknologjisë e veçanërisht në vitet e fundit, ka lindur edhe ekstremizmi i dhunshëm online. Kjo formë e ekstremizmit shfaqet kryesisht në rrjetet sociale, të cilat janë shumë të përdorura nga të rinjtë. Njëkohësisht, ky shtim i përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë shton edhe mundësinë dhe rastet e këtyre sjelljeve. Radikalizmi online është padyshim një problem  shqetësues që ekziston kudo nëpër botë. Interneti dhe rrjetet sociale lehtësojnë përhapjen e këtyre sjelljeve në mënyrë mjaft të shpejtë. Sigurisht që të qenit offline nuk është zgjidhja, megjithëse ul sadopak përhapjen e këtij fenomeni. Në këtë rast interneti nuk është arsyeja e krijimit të këtij problemi, por një nga faktorët e shtimit  të ekstremizmit sepse këto sjellje  mund të ndodhin edhe nga komunikimi i drejtpërdrejtë. E parë në aspektin e të drejtave, e drejta e lirisë së të shprehurit është shumë e rëndësishme, por nuk duhet harruar se ka edhe limite kur cënojmë të tjerët. 

Për të parandaluar këtë fenomen është e rëndësishme të veprohet dhe jemi në kohë. Mënyra e parë është edukimi. Duke dhënë tek të rinjtë mesazhet e duhura, mund të themi se është një hap i madh. Informimi është një mjet i fuqishëm ndërgjegjësimi. Së dyti, fuqizimi i të rinjve dhe dhënia e zërit, duke i bërë më aktive. Së treti, mobilizmi i aktorëve të rëndësishëm, si për shembull media. Nëpërmjet programeve televizive, artikujve, diskutimeve që kanë rol informues dhe ndërgjegjësues. Po ashtu, nismat e ndryshme qytetare dhe rinore mund të ofrojnë këshillim, me fushata e aktivitete të ndryshme. Organizata dhe institucionë të rëndësishme ndërkombëtare kanë një rol të rëndësishëm në këtë sfidë. Orientimi që na japin është me vlerë, për tu përballur si duhet me këtë problem global tashmë. Nga ana tjetër, kësaj çështjeje i duhet dhënë vëmendja e duhur edhe nga politikëbërësit, që nëpërmjet ligjeve të reja ose të rishikuara do të ndihmojnë në parandalimin e sjelljeve të dhunshme dhe ekstreme në të ardhmen.

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram