Klaudia Halahula

Sjelljet e dhunshme dhe ekstremiste padyshim që janë një nga problematikat më të mëdha, me të cilat shoqëria po përballet. Sigurisht që sfidimi i këtyre sjelljeve, është një pikënisje e mirë jo vetëm për të parandaluar të rinjtë që të përfshihen në sjelljet ekstreme, por duke siguruar kështu një mjedis më të sigurt dhe të paqtë për të gjithë individët. Në vijim të kësaj eseje do të paraqes faktorët, shkaqet dhe pasojat e ekstremizmit të dhunshëm, por do të doja të thoja që edhe të shkruarit këtë ese padyshim është një mundësi e vyer, nëpërmjet të cilës jo vetëm që mund të japim pikëpamjet dhe argumentat tona për tematikën, por edhe të ndihmojmë për t’i sfiduar sjelljet e dhunshme dhe ekstremiste. Sigurisht që faktorët dhe shkaqet që çojnë drejt sjelljeve ekstreme, janë të ndryshëm dhe të shumtë, megjithatë teksa po mendoja dhe analizoja shumë prej tyre, vendosa të fokusohesha dhe argumentoja rreth disa prej tyre, të cilët në këndvështrimin tim lidhen ngushtë me këto sjellje.

Sëpari, do të doja të përmendja bullizmin. Të qenurit i bullizuar, bën që individi të ndihet i nervozuar, ishqetësuar dhe i përbuzur nga të tjerët. Këto ndjenja mund të bëjnë që ai që jo vetëm të ndihet i përjashtuar dhe i izoluar nga të tjerët, por edhe që ta konsiderojë kryerjen e sjelljeve të dhunshme dhe ekstreme si të vetmen mënyrë për të përballuar këtë gjendje. Së dyti, do të pëmendja rolin negativ që luan angazhimi i familjarëve të individit në sjellje ekstreme. Duke parë mënyrën se si anëtarët e familjes së tij sillen, duke besuar dhe pranuar pikëpamje të gabuara tëfamiljarëve për këto sjellje, mund të ndodhë që edhe individi të përfshihet në po të njëjtat sjellje si ata. Përpos familjes, mendoj se edhe bashkëmoshatarët mund të kenë një ndikim në përfshirjen e individit në sjellje të dhunshme dhe ekstreme. Pra, ndikimi apo presioni i bashkëmoshatarëve, dëshira e individit për të qenë i pranuar dhe i kuptuar nga ata, si edhe të paturit një sens identiteti të ngjashëm me atë të anëtarëve të grupit, mund të bëjnë që individi të përfshihet dhe të kryejë sjellje të dhunshme dhe ekstreme. Mendoj se edhe varfëria ka një ndikim në përfshirjen e individit në sjellje të dhunshm edhe ekstreme. Për të patur kushte më të mira ekonomike, mund të ndodhë që individi të përfshihet në këto sjellje. Përpos varfërisë edhe mungesa e shkollimit, mund të bëjë që individi të influencohet nga mendime, besime dhe sjellje të gabuara dhe të dëmshme. Pasojat e ekstremizmit të dhunshëm janë të rrënda jo vetëm për individin që i kryen këto sjellje, por edhe për të gjithë shoqërinë. Duke u përfshirë në sjellje të dhunshme dhe ekstreme, individi dëmton të tashmen dhe të ardhmen e tij. Ai nuk angazhohet për të qenë i dobishëm për veten e tij, por gjithashtu nuk angazhohet për të qenë një qytetar i denjë për vendin e tij. Pasojat e ekstremizmit të dhunshëm kanë dëme të mëdha dhe shpesh të parikuperueshme. Si rrjedhojë e këtyre sjelljeve, mund të përballemi me një shoqëri të shqetësuar dhe të pasigurt për të ardhmen, mund të përballemi me një shoqëri ku e drejta dhe mundësia për të jetuar një jetë sa më cilësore, të shëndetshme dhe të sigurtë, mund të venitet për shkak të sjelljeve të dhunshme dhe ekstreme. Sigurisht që ka mënyra të ndryshme se si sjelljet ekstremiste mund të sfidohen për të bërë të mundur parandalimin e përfshirjes së të rinjve në këto sjellje. Në të vërtetë, që në fillim kur nisa të shkruaj këtë ese, po përpiqesha të listoja dhe arsyetoja lidhur me këto mënyra. Vendosa t’i drejtoj vetes një pyetje: “Si një e re, cilat mendon ti se janë mënyrat më efikase për të parandaluar përfshirjen e të rinjve në sjelljet ekstreme?” Sigurisht që mendoj se edukimi është çelësi me të cilin ne të rinjtë jo vetëm që mund të përmirësojmë jetën tonë, por mund të bëhemi edhe qytetarë më të denjë dhe të dobishëm për shoqërinë tonë. Nëpërmjet edukimit, të rinjtë mund të informohen rreth pasojave negative të këtyre sjelljeve. Mund të mësojnë të jenë më të kujdesshëm dhe të shmangin sjelljet ekstreme. Një mëyrë tjetër mendoj se është angazhimi dhe kontributi i të rinjve për të parandaluar sjelljet ekstreme. Sigurisht që angazhimi dhe kontributi i tyre do të duhej të mbështetej dhe inkurajohej edhe nga individët e tjerë të shoqërisë, të cilët po ashtu duan dhe përpiqen t’i shmangin këto sjellje.

Si përfundim, do të doja të thoja që sfidimi i sjelljeve të dhunshm edhe ekstreme do të kishte një impakt pozitiv si për të rinjtë, por edhe për shoqërinë në tërësi. Nëse të gjithë ne përpiqemi së bashku, për t’i parandaluar sjelljet e dhunshme dhe ekstreme, do të ishim në gjendje jo vetëm të përmirësonim cilësinë e jetës sonë, por edhe të brezave të ardhshëm.

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram