Klelia Loka

Dhuna ndaj vajzave dhe grave është kthyer në një fenomen padëshirueshmërisht të pranishëm në shoqërinë tonë. Dekada të tëra janë bërë dëshmi e qëndresës në kërkim të të drejtave të barabarta. Kërkesa të cilat jo rrallëherë janë keqinterpretuar si feminizëm radikal.

Dihet më së miri se të sfidosh realitetin e ditëve të sotme, do të thotë të përballesh më një uragan të tërbuar kritikash, shpesh herë shoqëruar dhe nga gjuha e urrejtjes.

Mirëpo, cili është ky realitet, vizioni i të cilit duket sikur ecën në drejtimin e së shkuarës dhe jo në perspektivën e së ardhmes? Cili është ky realitet, që për disa mund të duket paradoksalisht i trilluar? 

Realitetin në fjalë, është dhuna ndaj grave dhe vajzave, dhunë e cila merr dimensione në kulturë, ku mentaliteti patriarkal kapet fort pas të ashtuquajturës “traditë”. Dimension në aspektin ligjor, ku shumë vajza e gra fajësohen për tërheqjen e sjelljeve të dhunshme kundrejt tyre. Dimension në aspektin ekonomik, ku mungesa e burimeve të mjaftueshme financiare si dhe papunësia, vështirsojnë pavarësinë financiare të vajzav edhe grave. Si dhe në dimensionin politik, ku nivelet e ulëta të përfaqësisësë grave dhe vajzave në instancat politike e kategorizon dhunën me bazëgjinore si një problematikë të dorës së dytë. 

Ja pra, ky është realiteti i grave dhe vajzave në shoqërinë tonë. Një të vërtetë para së cilës disa mbyllin sy e veshë, e të tjerë qëndrojnë indiferent.

Duhet bërë me dije fakti se sjelljet e dhunshme dhe ekstremiste nuk shfaqen befas në shoqëri. Ato vijnë si rezultat i një sërë faktorësh të kultivuar kohë më parë, rrënjët e të cilëve duket se janë kapur fort pas mentalitetit patriarkal dhe nuk lëshojnë veç se fryte të dhunës dhe urrjejtes.

Tek sa jemi të vegjël, shfaqim kuriozitet kundrejt botës përreth. Jo të rralla janë pyetjet rreth qiellit blu, ditës dhe natës, ngjyrave të ylberit, shokëve dhe shoqeve, librave, shkronjave, kukullave e shumë e shumë të tjera.

Gradualisht, tek sa rritemi, disa gjëra i marrim si të mirëqena. Ndoshta humbim pikëpamjen idealiste kundrejt botës, duke anuar më shumë drejt monotonisë mbytëse që sjell përditshmëria jonë. Dashur pa dashur, harrojmë emocionin e habisë, humbim aftësinë e lumturisë kur çelin lulet në pranverë, e si rrjedhojë përfshihemi në mjegullën e të qenurit të rritur, duke harruar gjithçka që na shkaktonte habi më parë. 

Në konceptin e thjeshtë të habisë, mund të arrijmë të kuptojmë se si në të vërtetë kauzat sociale e humbin aftësinë e tyre për të na tërhequr vëmendjen. Nëse një fëmijë i vogël shikon një rast sjelljeje të dhunshme, ai do të reagojë domosdoshmërisht. Mirëpo, ndërsa lundrojmë në rrjetet sociale dhe ballafaqohemi me një sërë sjelljesh, si të dhunshme ashtu edhe ekstremiste, për se vallë nuk reagojmë?

Mos ndoshta në ato çaste shikimi ynë ishte i turbullt? Apo edhe ne vendosëm të bëhemi indiferent me ngjarjen sepse me siguri dikush tjetër do të merret me të. Apo jo?

Epo, cili vallë është ky “dikush” që do t’i zgjidhë këto problematika të shoqërisë? A nuk jemi ne individët të cilët në përmjet gjuhës së përbashkët të sensibilizimit mund të mposhtim atë të heshtjes?

Të gjithë preferojmë të shmangim problematikat sociale, duke u fokusuar vetëm tek ato individuale. Duke harruar se, ndoshta  këto të fundit  vijnë si rrjedhojë e lënies në harresë të atyre mësipër.

Globalisht, mund të them se situata pandemike ka ekzistuar gjithnjë. Ndoshta jo drejt për së drejti nga një sëmundje ngjitëse, por nga një sindromë që na ka shoqëruar brez pas brezi, sindroma e indiferencës kundrejt sjelljeve të dhunshme të cilat marrin karakteristika të normalitetit. 

Në një familje ku dhuna është prezente, shfaqja e sjelljeve të tilla është e pritshme dhe jashtë saj. Pse vallë? Kjo sepse normaliteti për këta fëmijë është i tillë. Mirëpo, për se ky duhet të bëhet dhe realiteti i brezave të tjerë pasues, të cilët vijueshmërisht do të imitojnë veprimet e pararendësve?

Gjithashtu, nuk duhet harruar kurrsesi se mediat dhe rrjetet sociale luajnë një rol thelbësor në parandalimin e sjelljeve të dhunshme dhe përhapjen e moralit të duhur në shoqëri, duke u sensibilizuar për tej fasadës së rreme.

Për ta përmbyllur, do të doja të doja të përmendja një thënie e cila jehon fort edhe sot e kësaj dite: 

“Ka një të vërtetë universale, të vlefshme për të gjitha vendet, kulturat dhe komunitetet: dhuna ndaj grave nuk është kurrsesi e pranueshme, kurrsesi e falshme, kurrsesi e tolerueshme.”

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram