Elda Azisllari
Dhuna është konsideruar si një plagë e vjetër në historinë e njerëzimit dhe si e tillë ndikimi i saj është i shtrirë thellë në personalitetin e çdo individi. Dhuna është një fenomen i lindur së bashku me natyrën njerëzore dhe si rrjedhojë e kësaj të fundit dhe historisë që shoqërojnë ngjarjet e njeriut. Në çdo shoqëri kuptimi për dhunën ndryshon në rjedhën e kohës. Shoqëria krijon dhe respekton vlera, norma dhe ligje të caktuara, mbi bazën e të cilave rregullon marrëdheniet midis individëve dhe grupeve shoqërore që e përbëjnë atë. Prej këtej rrjedh se kuptimi mbi atë se çfarë është një sjellje e pranueshme apo një sjellje e dhunshme ndryshon nga shoqëria në shoqëri. Në shoqërinë shqiptare para viteve ’90 dhuna konsiderohej normale sidomos kur ndodhte nga bashkëshorti kundrejt bashkëshortes, shumica e femrave i bashkoheshin dhe shprehjes:”Burri që të rreh të do”. Ky fenomen dukej normale sepse femra nuk gëzonte të privilegje dhe të drejta për tu mbrojtur, kurse sot ashtu si në Shqipëri dhe vendet e tjera është një veprim që sanksionohet rëndë.
Në realitetin e padëshiruar është e pashmangshme që çdo ditë të mos shënojë një tjetër viktimë, femër, nënë, bashkëshorte apo motër. Shumë ngjarje që kanë ndodhur sëfundmi në Shqipëri, është një sfidë e vështirë dhe një emergjencë psiko-sociale kombëtare. Prej disa ditësh mediat elektronike janë “pushtuar” nga një video skandaloze e ndodhur në qytetin e Librazhdit, ku nusja e djalit ishte dhunar më parë nga prindërit e burrit dhe më pas u publikua video ndërkohë që po shkelte kurrorë. Askush nuk e fal tradhëtinë, por një veprim që duhet bërë kur martesa nuk funksion do të ishte zgjidhja e saj. Po jeta e vajzës që u shkatërrua a mendoi ndokush për të? A do dënohen ata njerëz që i publikuan videon? Përtej pikëpyetjeve të shumta që nuk marrin asnjëherë përgjigje për pjesëtarët e tjerë të familjes, arrestimit dhe dënimit përkatës të autorit, në shoqërinë shqiptare preferohet të jepen ide, rrethana faktike të përçuara në mënyrë të saktë apo jo, biografi e thelluar e viktimës apo e autorit. E thënë më thjeshtë, pas këtij akti të dhunshëm përpara përballjes me drejtësinë, zhvillohet “gjyqi publik” i cili tenton të kategorizojë shoqërinë në individë që përkrahin viktimën dhe në individë që për arsye nga më të ndryshmet përkrahin reagimin e rëndë të autorit. Pikërisht në këtë moment shfaqet një përplasje ndërmjet rrymës maskiliste dhe asaj feministe, të cilët teksa mbrojnë me fanatizëm idetë e tyre lënë vend për të dyshuar tek elementi i “barazisë gjinore” që më së shumti preferohet të arrihet sot. Akti i publikimit të videos duhet të dënohet që dhe pjesa tjetër e shoqërisë të ndërgjegjësohet dhe mos publikojnë video të tilla që përmbajnë dhunë psikologjike, fizike dhe që kanë si qëllim denigrimin e grave dhe vajzave! Kushdo që shpërndan dhunën mes mediave audiovizive ose rrjeteve sociale ka po aq faj.
Shoqëria shqiptare është tepër e dhunshme, për shkak të së kaluarës totalitare ku dhuna përdorej si instrument edukimi për të mbajtur shoqërinë në rendin e duhur. Por në ditët e sotme ka një ndryshim, dhuna që hasim sot shkon përtej përdorimit të saj për qëllime edukuese. Në mjaft raste ajo shkon në ekstrem dhe duket më shume si shkarkim frustracionesh. Ka shumë arsye që dhuna eshtë bërë e pranishme deri në raste ekstreme në familjen shqiptare. Një prej tyre është degradimi i shoqërisë dhe frika se individi mund të hyjë në rrugën e veseve të cilat dënohen nga shoqëria, duke e kthyer frikën në obsesion. Të gjithë kemi privilegjin njerëzor për të kontribuar në ruajtjen e një jete, në çdo formë, qoftë duke lajmëruar menjëherë organet kompetente dhe qoftë duke neutralizuar situatën. Ndër format që duhet të ndjekim për të sfiduar dhunën është se duhet bërë më shumë në ndjekjen e një politike sociale dhe edukimi ligjor në shoqëri, për të sensibilizuar shoqërinë rreth rëndësisë së vënies në dijeni të autoriteteve kompetente për çdo situatë në të cilën bëhen dëshmitarë dhe heqjen dorë nga indiferentizmi në masë që së fundmi po na karakterizon. Gjithashtu një vëmendje më e kujdesshme i duhet kushtuar integritetit dhe aftësisë profesionale që zotërojnë përçuesit e drejtësisë, personat kompetentë për dhënien e urdhërave të mbrojtjes, të cilët në shumicën e rasteve kanë reflektuar dhënien e vendimeve të cilat nuk janë efikase. Ngritja e strukturave sociale për dhunuesin, i cili nuk është çudi të zgjedhë rrugën e alkoolizimit për t’u kthyer në një individ me një potencial rrezikshmërie të madhe shoqëror
Në përfundim sugjeroj t’i kushtohet më tepër rëndësi masave sociale rehabilituese me qëllim krijimin e qendrave të specializuara të trajtimit të dhunuesve. Mbyllja e një dhunuesi në një institucion për ekzekutimin e vendimit penal nuk ka dhënë efektet e duhura, që nënkupton që qëllimi rehabilitues i dënimit nuk është arritur. Madje referuar rasteve praktike vërehet se dhunuesi risocializohet në një formë më të ashpër, dhe ky element është tepër logjik në vetvete, burgjet nuk mund të konsiderohen në asnjë rast një vend i mirëfilltë edukimi apo rehabilitimi. Viktimat e dhunës dhe në mënyrë të veçantë avokatët që i përfaqësojnë ato duhet të jenë aktivë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në procesin penal.