Viti 2019 hyri i përgjakur, me vajza e gra të vrara nga njerëzit më të afërt.

Viti 2019 hyri i përgjakur, me vajza e gra të vrara nga njerëzit më të afërt. Deri më sot, janë vrarë 8 gra. Protestës të organizuar nga Shoqata “Unë, Gruaja” Pogradec ju bashkuan nxënës të gjimnazit “Gjergj Pekmezi” dhe qytetarë. Kjo protestë organizohet sot në të gjithë qytetet e Shqipërisë ku organizata të Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) i bashkohen protestës #MeTy me mesazhe dhe reagime në mbrojtje të grave dhe vajzave. Nuk rrimë urtë, ngremë zërin për vajzat e gratë që dhunohen e vriten pa pushim! #MeTY. Ky marshim nisi pranë Komisarjatit të Policisë Pogradec dhe të rinjtë ecën përgjatë bulavardit kryesor të qytetit duke mbajtur në duar pankarta me mesazhe sensibilizuese.  

• Protesto për të drejtat e tua.  

• Thuaj STOP heshtjes institucionale.  

• Protesto për barazi gjinore.  

• Reago, bëj të dëgjohet zëri yt.  

• Dhuna nuk ka justifikim, denonco dhunën ishin disa nga mesazhet.  

Ky 8 Mars i përket të gjitha vajzave dhe grave, atyre që u përballën me vrasësit, atyre që nuk u mbrojtën dot, atyre që gjithë sistemi, shoqëria nuk i mbrojti dot. Ky është 8 Marsi vajzave dhe i grave që çdo ditë luftojnë një betejë me pasiguritë e veta, me burokracitë institucionale, autoritetin brenda familjes, me autoritetin në vendin e punës, me gjykimet dhe paragjykimet e shoqërisë, me kufizimet dhe pengesat e pafundme. Ky është 8 Marsi i grave dhe burrave që mbështësin gratë, i atyre që me guxim dhe dinjitet jetojnë dhe janë model force dhe frymëzimi për vajzat dhe djemtë e tyre, dhe për të gjithë shoqërinë. Ne sot marshojmë për ti bërë thirrje të gjitha institucioneve se duhet një reagim i fortë dhe i koordinuar për t’i dhënë fund këtij realiteti abuzimesh. Ne sot marshojmë duke mbajtur zi për mungesën e reagimit institucional. Ne sot marshojmë për t’ju çuar mesazhin e duhur atyre që janë duke përjetuar dhunë që nuk mund dhe nuk duhet të heshtin më. #METY 

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram