Afërsisht çdo 7 ditë është vrarë një grua gjatë këtyre ditëve të vitit 2019.

Shoqata Une Gruaja

Afërsisht çdo 7 ditë është vrarë një grua gjatë këtyre ditëve të vitit 2019. Normalizimi i krimit nëpërmjet komunikimit të përditshëm, atij mediatik dhe pushtetit bën që ngjarje të kobshme si këto të mos marrin vëmendjen dhe as dënimin e merituar. 8 gra të vrara brenda 7 javëve, duhet të kishin vënë në alarm të gjitha institucionet kompetente; nga komisariatet dhe drejtoria e policisë deri te gjykatat. Por institucionet dhe parlamenti heshtin. Askush nuk e sheh, artikulon apo propozon zgjidhje për problemin. Në mungesë të një mobilizimi të nevojshëm shtetëror, 8 Marsin 2019 e shpallim DITË ZIE. Në 8 mars ju ftojmë në protestë/ marshim. 8 Marsi i këtij viti nuk përkon vetëm me ditën në të cilën bota kujtohet për ekzistencën e gruas duke e festuar atë, në Shqipëri deri më 8 Mars janë vrarë 8 gra dhe vajza. 8 Marsit duhet t’i rikthejmë narrativën e munguar mbi të drejtat e grave, për të drejtat në punë dhe barazinë në mundësi, e jo më te flasim vetëm për të drejtën e jetës. 8 Marsi duhet t’i kujtojë shoqërisë se duhen nisma konkrete, shoqërore dhe institucionale për edukimin e djemve dhe vajzave, e jo më te flasim vetëm për të drejtën e jetës. Për parandalimin e martesave të vajzave të mitura, e jo më te flasim vetëm për të drejtën e jetës. Për luftën ndaj ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale, e jo më te flasim vetëm për të drejtën e jetës. E ardhmja ndryshon duke reaguar që sot! Në këtë 8 Mars duhet protestuar! Le të mbajmë Zi. Zi për heshtjen institucionale. Zi për heshtjen e shoqërisë përballë padrejtësive ndaj grave dhe vajzave në çdo hallkë të këtij realiteti patriarkal. Ne refuzojmë të jemi viktimat e radhës! Ne nuk i përkasim askujt veç vetes. Mjaft më me gra të vrara! Të veshura dhe të veshur në të zeza, ne burra dhe gra kërkojmë drejtësi për viktimat! Kërkojmë një sistem të drejtë që mbron çdo grua dhe vajzë në Shqipëri! Kërkojmë që çdo grua të ketë ZË!

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram