Ese – Eralb Tollozhina
#Bashkëdojadalim
Covid-19
Nuk kam shumë që sapo lashë telefonin dhe ende më qarkullojnë në mendje shifrat e fundit drastike të Italisë. 1800 viktima, 340 brenda 24 orëve, një numër i frikshëm që vetëm rritet dhe nuk ndalon.
Nëse do isha paranojak, do të thoja i bindur lart e poshtë se ne e kemi marrë me kohë virusin, aman ka vetëm diçka për të cilën bëhem 0,1% optimist: Durim dhe izolim.
Duket sikur bota është ndalur dhe po merr frymë lirisht. Parë nga një këndvështrim më i ftohtë, duket sikur për një çast kishim nevojë të ndalonim: të reflektonim, të shpenzonim kohë me familjen, të lexonim më shumë, të merrnim energjitë e humbura, pra më në fund të largonim justifikimin e zakonshëm: Nuk kam kohë.
Por sado të shohësh çdo gjë nga ky këndvështrim, është 99% tjetër i mbushur me pasiguri dhe frikë.
Ca fakte para se të bëjmë konkluzione: Ky lloj virusi është i panjohur, dihet vetëm shumë pak për strukturën e tij dhe mënyrën si reagon në trup. Epidemiologët janë ende në studim të simptomave dhe po përpiqen të kuptojnë se cilat ilaçe japin efekt për të stabilizuar pasojat. Por ende nuk e dimë sesa jetë njerëzish do të merren, para se të jetë zbuluar vaksina dhe ilaçi kurues përfundimtar. Gjithçka do vijojë të jetë eksperimentale dhe meqënëse jemi tek faktet, autorietet ende nuk e kanë përcaktuar qartë çfarë është ky virus dhe nga vjen. Deri më tani qarkullojnë vetëm simptomat dhe për fat të keq fakti që virusi përhapet jashtëzakonisht shpejt.
Të gjitha këto nuk i them unë, aman unë do ta ushqej veten me moral dhe motivim. Si një qenie humane e kam përgatitur organizmin tim sa kam mundur për të përballuar më shumë se kaq.
Për të qenë jo vulnerabël, ekziston shembulli plot shpresë që vjen nga Wuhani. Ata ia dolën më së miri dhe botës i dhanë shembullin dhe modelin që duhet të ndjekë.
Ne kemi realizuar deri tani disa pjesë të modelit të tyre. Izolimi dhe respektimi i rregullave të autoriteteve dhe higjienës.
Shqiptari e ka të zorshme mos takohet, të puthet, të përqafohet dhe të socializohet. Por shoqëria është e ndërgjegjshme dhe e vëmendshme.
Unë besoj se Shqipëria do t’ia dalë sepse:
– Ka disa vende para për të marrë shembull dhe t’ia dalë me sukses dhe ajo
– Ka mjekë të apasionuar pas profesionit që për fat të keq i ka lënë në harresë dhe i ka trajtuar në mënyrë miserable
– Ka një shoqëri dhe pse e pabindur, gjithsesi protektive dhe të panikuar me raste
– Ka mekanizma që (me mungesën e burokracive) do të mungojnë në këtë rast, do të ushtrojnë detyrën që e kanë bërë prej kohësh.
E së fundmi, detyra dhe misioni u takon të gjithëve, pasi jeta e secilit është në dorën e vet, pavarësisht masave që çdo qeveri do të ndërmarrë.