Marta Topçiu
“Edukimi nuk ka për qëllim vetëm formimin e një anëtari, të një grupi shoqëror të caktuar apo të një punëtori në vendin e punës. Ai synon të ndërtojë një qenie që të kalojë kufijtë e së tashmes dhe të vetvetes. Për rrjedhojë përherë do të jetë me interes të shohim se si teknikat e eksperimentuara dikur, kanë dhënë ndihmesë për ta lehtësuar këtë tejkalim, dhe se si filozofët e edukimit, secili me frymën e tij origjinale, secili në fushën e vet të veprimtarisë, kanë mundur të realizojnë mjete për të siguruar këtë rritje të fëmijës që përbën lartësimin e njeriut, madhështinë e tij”
“Edukimi nuk konsiston në një dije teorike, ai është një eksperiencë, eksperiencë aktive, pasive dhe reflektive e dijeve, eksperiencë në rikonstruksion të vazhdueshëm… Edukimi është metoda themelore e progresit dhe e reformimit të shoqërisë”
(Dewey, Crédo Pédagogique)
Në diskutimet për të tashmen dhe të ardhmen e një vendi apo të botës, mbi paqen dhe prosperitetin e brezave që do të vijnë, një vend të rëndësishëm zenë debatet mbi edukimin. Edukimi është konsideruar gjithmonë si parakusht i domosdoshëm për zhvillimin e shoqërisë, për realizimin e ndryshimeve në të gjitha fushat e aktivitetit social e ekonomik.
Edukimi merr përsipër shumë funksione sociale: të formojë qytetarë, njerëz aktivë e me vlera, të përgjegjshëm, të pavarur, të lirë në mendime, të lirë në zgjedhjen për realizimin individual. Edukimi lidhet ngushtë me çështje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. E drejta për edukim është bërë një preokupacion në shkallë botërore.
Transformimet e shoqërisë kërkojnë përshtatjet e domosdoshme të shkollës, politika të reja për edukimin. Nga përhapëse e njohurive, shkolla bëhet organizatore dhe faktor sintezë i burimeve të shumta edukative në shoqëri.
Të gjitha këto vlerësime, për rolin e rëndësishëm të edukimit, parashtrojnë nevojën e një konsensusi për aplikimin e një sistemi edukimi që është i përshtatshëm:
-për dhënien e njohurive dhe shprehive, të vlefshme për të ardhmen,
-për edukimin e mësuesve me njohuritë, shprehitë dhe kompetencat edukative përkatëse.
Kërkesat për transformim kërkojnë të rivlerësohen objektivat dhe mjetet, të reflektohet për konceptimet e reja filozofike, evoluimin e vlerave, si dhe konteksteve të veçanta dhe traditave të çdo vendi. Reformat e ndryshme të edukimit, në vende të ndryshme kanë një rol të rëndësishëm në përgatitjen për të ardhmen, në përballimin e sfidave të shekullit, në përgjigjen ndaj realiteteve të reja.
Me një objektiv të tillë, autoret e tekstit “Hyrje në teori dhe filozofi edukimi”, sjellin për lexuesit një informacion të bollshëm shkencor e profesional, bazuar në një hulumtim të kujdesshëm të literaturës në fushën e edukimit, në një numër të madh shembujsh e situatash jetësore, si dhe nga përvoja e tyre si pedagoge për një periudhë disavjeçare.
Këto informacione, teori e interpretime, të dhëna dhe shembuj, janë të nevojshëm për një reflektim pedagogjik të lexuesit. Problemet trajtohen në pikëpamje edukative dhe në këndvështrimin e opsioneve të mëdha tradicionalë e bashkëkohorë.
Në kuadër të objektivave të synuar nga edukatorët, në kapituj të ndryshëm, shtrohen çështje të tilla, si:
Ç’është edukimi dhe cilat janë qëllimet e tij?
Cilat janë vështirësitë e edukimit të individit në planin moral dhe intelektual?
Cilat janë kriteret për një edukim të suksesshëm?
Me ç’mënyra dhe mjete, edukatori do të ndikojë tek fëmijët, adoleshentët, të rinjtë, për t’i bërë ata njerëz të lirë, që mendojnë në mënyrë kritike, që krijojnë në mënyrë të pavarur, konform rregullave të shoqërisë?
Cilat janë parimet, metodat format e edukimit që do të pajisin brezin e ri me aftësi e shprehi në ndihmë të mbarëvajtjes e progresit të përgjithshëm, etj.?
Përgjigjet për këto çështje dhe për shumë të tjera ndikojnë në krijimin e një vizioni të qartë për politikat e edukimit, për orvajtjet sistemike, për integrimin e formave të ndryshme të edukimit në funksion të synimeve, një vizioni të qartë për objektivat që duhet të arrihen në afat të shkurtër dhe në afat të gjatë, për njohuritë dhe problemet që duhen zgjidhur. Ato ndikojnë në vlerësimin dhe marrjen e masave të veçanta, lidhur me elementë të ndryshëm të edukimit të një sërë objektivash, parashikimesh dhe mjetesh materiale e humane.
Kam bindjen që lexuesit, studentët, mësuesit, prindërit, do të marrin në këtë tekst, mesazhe të qarta, me interes e vlerë për edukimin, për konceptet dhe problemet e tij, për strategjitë e metodat efikase, për kompetencat që duhet të kenë edukatorët, etj.