Për terrorizëm nuk kufizohen në një bindje politike apo fetare të vetme dhe kjo është faktuar nga llojet e ndryshme të terrorizmit që Evropa ka përjetuar përgjatë historisë.
Shumica e qytetarëve evropianë, pavarësisht besimit të tyre, nuk përqafojnë ideologji ekstremiste. Për më tepër, vetëm pak prej tyre që kanë bindje ekstremiste përfshihen në terrorizëm.
Sipas të dhënave të analizuara nga Atran (2010) një tregues i besueshëm për përfshirjen ose jo të dikujt në ekstremizëm të dhunshëm lidhet me faktin e të qenit pjesëtar i një grupi shokësh të përfshirë në një aktivitet të caktuar. Përfshirja në grupe dhe aktivitete terroriste lidhet me shumë arsye të ndryshme. Ideologjia dhe veprimi janë ndonjëherë të ndërlidhura, por jo gjithmonë. Nevojitet që të kuptojmë dallimet midis bindjeve radikale në vetvete dhe veprimeve të dhunshme.
Studiues të ndryshëm kanë ofruar përkufizime të ndryshme mbi radikalizmin. Kështu, sipas McCauley
dhe Moskalenko (2008) radikalizmi është “ekstremiteti në rritje i bindjeve, ndjenjave dhe sjelljeve në drejtim të justifikimit gjithmonë e më tepër të dhunës ndërmjet grupeve dhe kërkesës për sakrificë ndaj grupit”.
Ndërsa sipas Crosset dhe Spitaletta (2010) radikalizmi nënkupton “procesin përmes të cilit një individ, apo grup njerëzish i nënshtrohen një transformimi nga pjesëmarrja në procesin politik me mjete të ligjshme në mbështetjen apo përdorimin e dhunës për qëllime politike.”
Duke e parë ekstremizmin e krijuar brenda vendit si një process të vazhdueshëm të të mësuarit transformues, Wilner dhe Dubouloz (2010) sugjerojnë se “radikalizmi është një proces personal në të cilin individi përshtat ideale dhe aspirata ekstreme politike, shoqërore, dhe/apo fetare, dhe ku arritja e objektivave të caktuar justifikon përdorimin pa dallim të dhunës”.
Por a mund të konsiderohen të gjitha proceset radikalizuese dhe bindjet ekstreme si një kërcënim për sigurinë e një vendi apo më gjerë dhe, rrjedhimisht, të meritojnë vëmendjen dhe ndërhyrjen e agjencive ligjzbatuese? A nevojitet që ndërhyrja institucionale të kushtëzohet nga prania e dhunës së shfaqur në kuadër të ideologjive ekstreme dhe cila do të ishte rëndësia e këtyre ideologjive në mungesë të akteve të dhunës?
Përtej interpretimeve të doktrinave fetare, është e nevojshme që të shqyrtohen me kujdes të gjitha ideologjitë ekstremiste duke bërë dallimet midis tyre dhe veçuar ideologjitë, të cilat nxisin dhe lehtësojnë kalimin nga të menduarit radikal në të vepruar të dhunshëm.
Neuman (2010) gjithashtu pohon se ideologji ekstreme janë ato të cilat kundërshtojnë parimet dhe vlerat themelore të një shoqërie dhe në kontekstin e shoqërive demokratike liberale kjo do të përkthehej në propagandim të supremacisë racial apo fetare dhe/apo kundërshtim të të drejtave universale të njeriut dhe parimeve themelore të demokracisë.
Për më tepër, Neuman thekson se termi “ekstremist” mund të përdoret edhe për mënyrat e përdorura për arritjen e qëllimeve politike, të cilat karakterizohen nga mungesa e respektit për jetën, lirinë dhe të drejtat e tjetrit”.
Për të theksuar pasojën e dhunshme nga radikalizimi dhe në mënyrë që të bëhet dallimi nga forma jo të dhunshme të të menduarit radikal disa studiues preferojnë të përdorin togfjalëshin “radikalizim i dhunshëm”.
Krahas përkufizimeve të mësipërme dhe të tjera të ofruara nga studiues të ndryshëm për termat “radikalizim” dhe “ekstremizëm i dhunshëm”, përkufizime të ngjashme janë krijuar edhe nga agjenci ligjzbatuese të shteteve evropiane për të lehtësuar punën e tyre në këtë drejtim. Kështu për shembull, Shërbimi Holandez i Sigurisë (AIVD) e përkufizon radikalizmin si “gatishmëria në rritje për të ndjekur dhe/apo mbështetur edhe përmes mjeteve jo demokratike nëse është e nevojshme, ndryshime madhore në shoqëri, të cilat bien ndesh apo paraqesin rrezik për rendin demokratik”.
Ndërsa në strategjinë kundër terrorizmit të Mbretërisë së Bashkuar radikalizmi përkufizohet si “procesi përmes të cilit njerëzit fillojnë të mbështesin ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, dhe në disa raste, u bashkëngjiten grupeve terroriste”.
Me gjithë mungesën e një përkufizimi të konceptit nga institucionet shqiptare, “rritja e radikalizmit fetar konsiderohet si një rrezik ndaj vlerave të harmonisë fetare në Shqipëri dhe që mund të shkaktojë tension shoqëror”. Megjithatë, ky rrezik klasifikohet i nivelit të dytë për sigurinë kombëtare, që do të thotë se ka gjasa të ulëta për t’u shfaqur, por do të kishte pasoja të larta për sigurinë.