Flori Hoxha

Ekstremizmi paraqet sot në botën moderne si dhe atë në zhvillim, një gjendje alarmuese përsa i përket viktimave të mundshme dhe rrjedhojave. Përtej konceptit “ekstremizëm” si një ruajtje e fortë bindjeje a besimi që nuk mund të përbëjë rrezik të drejpërdrejtë, është dhuna që i vishet dhe e konverton në një sulmues të fuqishëm social. Është pikërisht ky element i cili përbën sot një sfidë globale të karakterit universal.

Së pari le të trajtojmë disa pika që përbëjnë ekstremizmin një sfidë globale:

  1. Universaliteti është një prej gurëve që vendoset për të ndërtuar multibarrierën e quajtur “Ekstremizëm i dhunshëm”. Në këtë element, kemi të bëjmë me mundësinë për viktimizim/rekrutim ku gjithkush mund të bëhet një objektiv sulmi, pa përcaktuar rezulatin e këtij procesi.
  2. Globalizmi lehtëson, mundëson dhe realizon shpërfytyrimin dhe njësimin e multikulturalizmit. Shkurtimisht, kultura të ndryshme përbashkohen në formë miksazhi duke u përngjarë me njëra-tjetrën dhe kështu rrit mundësinë për shpërndarje ideologjike ekstremiste deri në radikale.
  3. Interneti si një degë që rrjedh prej globalizmit, mbetet qëndresa më sfiduese e cila mbështet sot për sot ekstremizmin. Roli i tij globalist konsiderohet të përbëjë rrezik pasi favorizon jo vetëm shpërndarjen ideologjike, por edhe mundësitë rekrutuese. 

Nuk mjafton për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm — ne duhet ta parandalojmë atë, dhe kjo kërkon forma të “fuqisë së butë”, për të parandaluar një kërcënim të nxitur nga interpretimet e shtrembëruara të kulturës, urrejtjes dhe injorancës. Askush nuk lind si ekstremist i dhunshëm – ata bëhen të tillë dhe më pas ushqehen ideologjikisht. Shpërbërja e procesit të radikalizimit duhet të fillojë me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, me dialogun përtej të gjitha vijave kufizuese, duke fuqizuar të gjitha të rejat dhe të rinjtë dhe duke filluar sa më herët, në bangat e shkollave.

Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet edukimit duhet të jetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë parandaluese në të cilën përfshihet familja, komuniteti dhe media. Ndërtimi i rrjeteve të mbështetjes dhe kujdesit që përmirësojnë këto fusha rrit gjasat për të pasur një ndikim pozitiv dhe zhvillon mirëqenien e komunitetit, pa u fokusuar vetëm në mbikëqyrjen.

Të mësuarit për të drejtat e njeriut promovon një kulturë të mosdhunës dhe mosdiskriminimit dhe nxit ndjenjat e respektit dhe tolerancës. Një edukim që inkurajon një kuptim më të mirë të të drejtave të njeriut mundëson gjithashtu të mësuarit kritik dhe debatin rreth ekstremizmit të dhunshëm. Disa nga nocionet pak më poshtë janë komplekse dhe mund të mos jenë relevante për të rinjtë. Të drejtat e njeriut janë garanci themelore dhe universale. Ato zbatohen për të gjitha qeniet njerëzore, pavarësisht nga kombësia, vendbanimi, gjinia, origjina, feja, gjuha ose ndonjë status tjetër. Ndryshe nga të drejtat e njohura nga një shtet sipas ligjit të brendshëm, të drejtat e njeriut zbatohen për individët nga të gjitha shtetet përtej kufijve kombëtarë. Të drejtat e njeriut sanksionojnë të drejta dhe përgjegjësi. Në këto nocione përfshihet ideja se çdo person ka për detyrë të respektojë të drejtat e të tjerëve. Për shembull: respektimi i të drejtës së njëri-tjetrit për lirinë e mendimit, shprehjes dhe besimit. Prandaj, është e rëndësishme që të rinjtë të kuptojnë se individët (ose grupet e individëve) nuk mund të thirren në të drejtat e tyre si justifikim për të shkelur të drejtat e dikujt tjetër. Njohja se çfarë është dhe çfarë nuk është një e drejtë e njeriut, siç përcaktohen nga konventa të ndryshme ndërkombëtare, u mundëson nxënësve dhe të rinjve në përgjithësi të sfidojnë pretendimet e rreme dhe të kuptojnë se çfarë është e drejtë dhe çfarë kërkon mbrojtje.

Është gjithashtu e dobishme të kuptohet se sipas konventave ndërkombëtare dhe implementimit të tyre në legjislacionin e brendshëm ekzistojnë të drejta të paderogueshme, që do të thotë të drejta të njeriut që duhet të zbatohen pa përjashtim (siç është e drejta për jetën, neni 21 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë), si dhe të drejta të njeriut që mund të të kufizohen në rrethana të jashtëzakonshme (siç është e drejta për lirinë e shprehjes, e drejta për lirinë e lëvizjes dhe e drejta për privatësi apo pronësi). Këto dallime janë të dobishme për të ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë një kuptim më të sofistikuar të situatave komplekse. Për shembull: nëse një grup ekstremist kryen një sulm të dhunshëm, medias mund t’i jepet vetëm akses i kufizuar në vend dhe mund të udhëzohet të kufizojë komunikimin menjëherë pas sulmit, për arsye sigurie.

Sot, në shoqëritë tona të përngjashme, me Shqipërinë si një shembull i një vendi në zhvillim i cili përpiqet të vendoset në vijat e një shteti që zbaton standardet ndërkombëtare, ekzistojnë hapa të hedhur ekzistentë përsa i përket luftës kundër sjelljeve të dhunshme dhe ekstremiste. Me anë të mekanizmave të ngritur dhe që shihen si më efektive, duhen përmendur Policimi në Komunitet dhe Ofrimi i Shërbimeve Këshilluese dhe Edukuese nga OJF. Masat e ndërmarra kanë në fokus edukimin e brezave të rinj dhe formimin e një ndjenje unike kombëtare.

Në këtë drejtim, koncepti i qytetarisë globale është veçanërisht i rëndësishëm për të nxitur qëndrueshmërinë e të rinjve ndaj botëkuptimeve përjashtuese që vendosin një grup kundër një tjetri. Nëpërmjet edukimit global të qytetarisë, të rinjtë mësojnë për ndërvarësinë dhe ndërlidhjen e botës dhe grupeve të ndryshme të popullsisë së saj. Ata mësojnë të vlerësojnë dhe respektojnë diversitetin dhe dallimet dhe zhvillojnë aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet që i lejojnë ata të kontribuojnë dhe të lulëzojnë në shoqëri të ndryshme. Mbi të gjitha, edukimi i qytetarisë globale kërkon solidaritet dhe ndjeshmëri aktive midis qenieve njerëzore, si brenda dhe përtej kufijve kombëtarë, si dhe për veprime të përgjegjshme duke përdorur mjete jo të dhunshme për të shkaktuar ndryshim.

BIndjet e gjithsecilit janë objekte manifestimi që shfaqen në forma të ndryshme. Me anë të llojit të këtyre manifestimeve shprehëse, përcaktohet dhe tipari kryesor i sjelljes, asaj civile apo asaj të dhunshme! Pra, së fundmi, mënyra se si i shprehim bindjet dhe besimet vijëzon sjelljen humane dhe nëse mbetet e denjë apo jo në shoqërinë globaliste.

Bëhu ti ndryshimi: SHPREHU SI NJË QYTETAR GLOBAL DHE JO SI NJË GLOBALIST!

QYTETARI GLOBAL DISKUTON DHE PROMOVON VLERA, NDËRSA NJË GLOBALIST PROMOVON PUSHTETIN SOCIAL, POLITIK, FETAR DHE EKONOMIK!

Shperndaje

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on email
Share on telegram